Zbulohet kriza te Kukësi/ Lojtarët prej kohësh të papaguar, në fundjavë bojkot kampionatit

0
293

Në prag të javës së tretë të Kategorisë Superiore, tek Kukësi po mendojnë ende për rrogat e prapambetura. Një krizë financiare që i kishte dhënë shenjat, por askush nuk e kishte përfytyruar deri në këto përmasa. Duke mos u paguar lojtarët kanë shprehur revoltën e tyre në fushë, duke mos u mobilizuar sa duhet, për pasojë kanë shfaqur tension dhe tensioni shpie në humbje. Trajneri Skënder gega doli pozitiv në testin e kovidit, duke i munguar grupit në ndeshjen e fundit në kampionat e kupë. Në këto rrethana, Kukësi po kalon momente të vështira. Presidenca ende nuk ka dhënë sqarime, por referuar asaj që shkruajuni mediumet sportive, ka një krizë financiare tek Kukësi që mund të ketë efekte negative për vazhdimësinë dhe sidomos për objektivat e skuadrës këtë edicion.

Kriza

Që ka krizë financiare në radhët e klubeve të Superiores e kishte shprehur më parë vetë FSHF dhe Liga Profesioniste, që kërkonin nga qeveria një paketë ndihme për të larguar shqetësimin. Kurse atmosfera e këtij fillim sezoni te Kukësi është si mos më keq. Klubi ka pësuar dy humbje në dy javët e para të kampionatit, duke pësuar dy gola dhe pa shënuar asnjë. Të afruarit në merkato nuk kanë bindur ende, teksa mund t’iu duhet më shumë kohë për t’u ambientuar me Superioren. Por, përveç anës teknike, ajo që shqetëson tashmë më shumë ambientin, janë rrogat e papaguara të cilat kanë shtyrë futbollistët të bojkotojnë stërvitjen e sotme. Diçka e tillë është raportuar nga ana e “Proçesit Sportiv”, ndërsa bëhet e ditur se nëse deri ditën e shtunë nuk do të ketë pagesa, atëherë në ndeshjen e kampionatit ndaj Teutës, në fushë do të futet skuadra e të rinjve. Një situatë vërtetë shqetësuese në kampin verilindor, megjithatë një problematikë e tillë nuk ndodh për herë të parë te ata. Mbetet për t’u parë si do të avancojnë ngjarjet në klubin e Kukësit, të cilët duhet të mendojnë për zgjidhjen e shpejtë të situatës.

Problemet me financat edhe tek klubet e tjera

Superiorja u përfshi nga kriza financiare njëjtë sikurse shumë klube në Europë, si pasojë e pandemisë së koronavirusit. Kjo erdhi pasi ranë në ekstrem të ardhurat, duke nisur nga të ardhurat prej biletave, reklamave, shitjeve të fanellave etj. Një krizë e tillë nuk kishte ngjarë më parë, prandaj UEFA dhe vendet përkatëse hapën “thesin” për të ndihmuar sa të mundnin që ky sektor i sportit të mos pësonte traumë. Dhe falë paketave të ndihmës por edhe investimeve në forma të tjera i klubeve doli që ata të mbijetonin. Kurse klubet tona gjenerojnë pak të ardhura dhe rënia e pandemisë solli rënie në ekstrem të të ardhurave, duke sjellë probleme në pagesat e lojtarëve. Në kushtet kur qeveria nuk pranoi t’u japë paketë ndihme (me të drejtë, pasi presidentët e klubeve u bënin lojtarëve kontrata fiktive), klubet ndjenë menjëherë shenjat e krizës. Përveç Kukësi, pakësim të buxhetit të klubeve si pagë për lojtarët ka pasur në shumicën e klubeve të Superiores e të Kategorisë së Parë. Luftëtari doli të jetë në krizë të plotë. Flamurtari me probleme, Tirana e Partizani gjithashtu me sforco të madhe, etj. Pra nuk është Kukësi i vetmi klub me probleme, por dalja hapur e shenjës së krizës mund të verë në rrezik objektivat e verilindorëve gjatë këtij sezoni.

Java e tretë

Kategoria Superiore do t’i luajë ndeshjet e javës së tretë pikërisht të shtunën,m në orën 16:45. Në kuadër të kësaj xhiroje, Kukësi do të jetë në Durrës, në transfertën e vështirë përballë Teutës, një ndeshje që mund të rezultojë me probleme për verilindorët nëse pësojnë një disfatë tjetër. Në fakt, specialistët janë të mendimit që Kukësi ka një grup të mirë dhe me të cilin ka punuar me seriozitet trajneri Gega, por që kjo krizë mund të jetë shkaktarja e vërtetë e situatës. Teuta është një ndër ekipet më të forta të këtij edicioni dhe ka regjistruar një fitore e një barazim, por me lojën e saj ka treguar se është më lart se rivalët e tjerë, kështu që Kukësi do të hasë vështirësi këtë të shtunë në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here