Reja e kalon sprovën, “blindoi” kontratën për katër vitet e ardhshme

0
245

Kombëtarja ia doli të marrë gjashtë pikë në dy ndeshjet e fundit në grupin e katërt të Divizionit C të Ligës së Kombeve, pasi mundi Kazakistanin me shifrat 3-1 dhe Bjellorusinë me rezultatin 3-2, duke siguruar edhe vendin e parë në grup, pozicion që e ngjit atë një ligë më lart sezonin tjetër, pra në Divizionin B, por edhe i hap rrugën për një shans më shumë në Botëror dhe Europianin e ardhshëm, si pasojë e rritjes së “kreditove” në klasifikimet e FIFA-s. Kjo është një arritje e madhe për përfaqësuesen, e para që prej vitit 2016 kur siguroi pjesëmarrjen në Kampionatin Europian. Kjo është një arritje dhe për trajnerin Edi Reja, i cili tani e ka të garantuar dhe të “blinduar” kontratën deri në vitin 2024, pavarësisht se mosha e tij afro 75-vjeçare nuk është premtuese. Kontrata e Rejës me FSHF-në do të zgjasë sipas të gjitha gjasave deri në vitin 2024, kohë e projektuar për Kampionatin Europian të atij viti. Dhe Shqipëria synon ta përsërisë suksesin e Francë-2016, pasi në Europian janë mundësitë më të mëdha që të realizohet objektivi krahasuar me Botërorin, ku nga grupi shkon vetëm një ekip e jo dy sikurse ndodh me Europianin. Në këto rrethana, për Rejën nuk ka presion në kualifikueset e Botërorit, por në kualifikueset e Europianit të ardhshëm. Pengesën e parë për të shkuar deri aty, ai e kaloi me sukses, pasi ia doli që të zërë vendin e parë në grup në Ligën e Kombeve, duke përmbushur kështu kriterin e parë të fortë. Dhe ia doli mirë, për më tepër që koha me pandeminë nuk i dha shumë qetësi dhe kohë të mendonte për të testuar të rinjtë e t’i harmonizonte ata siç duhet.

Kupa e Botës

Shqipëria do të marrë pjesë në kualifikueset e Kupës së Botës Katar-2022, ku synon të marrë maksimumin, me shpresë që mund të kapë një vend nderi në grup. por kjo do të varet shumë nga shorti, ecuria e skuadrës gjatë dy viteve në vijim dhe natyrisht nga zgjedhjet që do të bëjë stafi teknik, me në krye trajnerin Reja. por kualifikimi në Botërorin e Katarit është i vështirë, pasi nga grupi shkon vetëm një ekip dhe kur të hidhet shorti Shqipëria do të përballet në grup me rivalë shumë të fortë që përcaktohen nga vazot e UEFA, sipas koeficientit që kanë skuadrat. Pra Rejës nuk mund t’i vihen kushte domosdoshmërie për kualifikim në Botëror, paçka se ai do të bëjë maksimumin së bashku me skuadrën për tra arritur këtë objektiv. Varet se çfarë skuadrash do të bien në short dhe kuqezinjtë do të provojnë me patjetër që të marrin maksimumin. Por e sigurt është se rivalët në kualifikueset e Botërorit nuk do të jenë të gjithë në nivelin e Kazakistanit, Bjellorusisë apo Lituanisë. Me siguri që një prej rivalëve do të jetë e nivelit maksimal sikurse janë Gjermania, Spanja apo Italia. Por edhe skuadra e vazos së dytë mund të jetë po kaq e vështirë, pasi ndodhen ekipe si Holanda, Austria, Hungaria e ndonjë tjetër që kanë shumë cilësi. Pra shanset që të kualifikohesh në Botëror nga grupi janë të pakta, por Reja me kuqezinjtë do ta provojnë edhe këtë shans.

Urimet nga Italia

Suksesi i Shqipërisë në Ligën e Kombeve, ku zuri vendin e parë në grupin e katërt të Divizionit C, ka bërë bujë në mediat italiane, pikërisht për faktin se përfaqësuesja kuqezi drejtohet nga një trajner me përvojë sikurse është Edi Reja. dhe më shumë se kudo kjo jehonë është ndjerë në qytetin ku ai ka punuar jo pak kohë, në Napoli. Siç dihet, Edoardo Reja e ka drejtuar Napolin nga viti 2005 deri në 2009, një periudhë e mbushur me emocione për tifozët e kaltër dhe për vetë trajnerin i cili asnjëherë nuk e ka fshehur dashurinë që ka për këtë klub. Pas suksesit që Reja pati me kombëtaren shqiptare në Nations League ku u ngjit në Ligën B ka ardhur edhe urimi i klubit të Napolit për trajnerin pasi të kaltrit e kanë ruajtur gjithmonë respektin për Rejën. “Komplimente Mister Reja për ngjitjen në Ligën B të Ligës së Kombeve me kombëtaren e Shqipërisë”, shkruhet në postimin e Napolit në “Tëitter”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here