Panairi i Librit nis ditët e tij/ Botuesit: Tirana ka nevojë për një librari të madhe

    0
    272

    Panairi i Librit “Tirana 2020” nisi ditët e tij online në edicionin e 23. Në katër ditët e panairit që nisi të enjten për të vijuar deri të dielën janë planifikuar më shumë se 60 aktivitete, ndërsa 8 mijë tituj të shtëpive botuese që janë këtë vit do të prezantohen në platformat e ndryshme online. Në ceremoninë e hapjes në atriumin e Muzeut Historik Kombëtar ishin të pranishëm botues, si dhe ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës. Petrit Ymeri kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë bëri një prezantim të fillimit të Panairit të Librit vite më parë, dhe tha mes të tjerave se këtë vit online nisi si një rrugë duke parë eksperiencat e të tjerë panaireve online, që po zhvillohen në botë. Në fjalën e tij kreu i shoqatë së botuesve tha se aktivitetet do të jenë të ndryshme. “Menduam që të nisnim këtë aventurë, një rrugë e panjohur, duke parë edhe eksperiencat e panaireve online. Kjo ide është mbështetur nga shumica e botuesve. Gjatë ditëve të Panairit të Librit do të ketë më shumë se 60 aktivitete, ku do të diskutohet për probleme të mjeshtërisë së përkthimit”, tha mes të tjerave Ymeri. Në këtë edicion të 23 të panairit, kreu i SHBSH theksoi dhe mungesën e librarive në Tiranë, ku sipas tij dikur kemi pasur një sistem të mirë librarish. “Tirana ka nevojë për një librari të madhe. Janë librari që i hëngri koha se ne kemi trashëguar një sistem të mirë librarish në Tiranë dhe në qytete të tjera, që i hëngrën baret apo bankat. Por Tirana ka nevojë për një librari shumë të madhe, padyshim që “Adrioni” është një mbështetje madhe si dhe të tjera librari, por kemi nevojë për librari”, shtoi më tej Petrit Ymeri kreu i SHBSH. Në fjalën e tij Ymeri vlerësoi këtë vit ndihmën e Bashkisë së Tiranës, duke pohuar se ky mirëkuptim i hap rrugën një bashkëpunimi. Sipas tij nga bashkia ka vijuar puna për pasurimin e bibliotekave, por dhe botuesit janë të gatshëm të bashkëpunojnë. “Unë do të kërkoja nga bashkia për të punuar së bashku për pasurimin e bibliotekave të lagjeve, që ajo ka bërë dy- tre vitet e fundit. Ne jemi të gatshëm për të bashkëpunuar me idetë tona, këshillat, përvojën tonë që ti shërbejmë sa më shumë lexuesit. Ne jemi të bindur që kemi nevojë për fëmijë të lexuar, rini të kulturuar dhe të qetë dhe libri ta jep dhe kulturën dhe qetësinë”, pohoi Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë.

     Panairi i dobishëm

    Këtë vit për shkak të situatës me pandeminë edicioni i 23 zhvillohet online, por në fjalën e saj ministrja e Kulturës Elva Margarit tha se këtë ndryshim mendësie të organizatorëve e shikonte pozitive. “Mendoj se ky eksperiment do të jetë edhe më mirë për panairin, ndoshta do t’i bashkohen më shumë se përherë të rinjtë, prandaj e shikoj këtë ndryshim mendësie të organizatorëve shumë pozitive”, tha ajo. Ministrja u shpreh se e kanë mbështetur në mënyrë simbolike panairin nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, por pse jo dhe në vijim takime të tjera mund të mbështeten edhe nga Ministria e Kulturës. Në një reagim të tij lidhur me panairin e këtij në Tiranë, botuesi Frano Kulli shprehu në fjalët e tij se 2020 ka qenë një vit i vështirë për aktivitetin me librin. “Ne shpresojmë te dobia e panairit, ndërtojmë kontaktet e munguara fizikisht në lidhje online me lexuesit që është e rëndësishme, ndërkohë që kemi mundësi që të prezantojmë dhe botimet tona. Ky ka qenë një vit shumë i vështirë për ne si botues për shkak dhe të situatës me pandeminë. Por mendoj që institucionet e shtetit duhet të jenë më pranë librit dhe botuesve, ne kemi problematika që janë të përhershme”, tha Kulli. Mbështetëse të panairit të këtij viti janë Bashkia e Tiranës dhe Qendra Kombëtare për Librin dhe Leximin. Këtë vit platforma online për shitjen e librit janë, Bukinisti, Adrion ltd, TopChannel, dhe libraritë që do të mirëpresin lexuesit, autorët dhe aktorët e librit për promovime.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here