TOB i pari anëtar i “Opera Europa”, që hapi festimet për Ditën Botërore të Operës

0
254

Teatri i Operës dhe Baletit ishte teatri i parë anëtar i “Opera Europa”, që hapi festimet botërore në Ditën Botërore të Operës të premten e kaluar, pjesë e kalendarit të shfaqjeve me këtë rast të organizatës më të madhe operistike në Evropë dhe më gjerë. TOB shkruan se të premten në mbrëmje, më 23 tetor, hapi serinë e koncerteve botërore, që i bënë jehonë “World Opera Day” me pjesë të zgjedhura nga Ludwig Van Beethoven. “Shfaqje e cila u ndoq nga më shumë se 50 persona, duke respektuar protokollin anti-covid, në hollin e hapur të Muzeut Historik Kombëtar”, shkruan TOB. Po atë ditë institucioni shprehet se, në orën 20:30 transmetoi live në platformat online të TKOBAP koncertin e Ansamblit Popullor “Në gjurmët e të parëve”, i cili kapi rekorde shikueshmërie me 3505 klikime, 157 like, 140 komente, 40 shpërndarje dhe 5666 ndjekës në të gjitha platformat. TOB shprehet se të dielën në mbrëmje, kalendari vijoi me shfaqjen online të operës “La Boheme” live në Facebook, e cila u ndoq nga 3.737 shikues. Opera “La Boheme” e Puçinit është produksioni i plotë i TOB shfaqur një vit më parë, që shënoi kulmin e angazhimit të artistëve të rinj në tre vitet e fundit, e ardhmja e skenës operistike shqiptare. Ngjarjet në vepër zhvillohen në fundin e shekullit XIX në Paris, katër shokë jetojnë së bashku në një papafingo. Rodolfo dhe Marcello qëndrojnë në shtëpi duke punuar dhe vjen njëri nga të rinjtë, muzikanti Schaunard, i cili ka fituar para dhe ata vendosin për të ngrënë në një restorant aty pranë. Poeti Rodolfo nuk i shoqëron, sepse duhet të mbarojë shkrimin e tij, por ndërpritet nga Mimi, një rrobaqepëse e cila ishte fqinjë me të. Ato tërhiqen nga njëri- tjetri me shikim të parë dhe bashkë drejtohen për në restorant, ku po i presin miqtë e tij. Marcello, shoku i Rodolfos po flirtonte me ish- të dashurën e tij Musetta, e cila detyron shoqëruesin e saj të paguaj faturën për të gjithë. Më vonë Musetta dhe Marcello jetojnë bashkë, si Mimi dhe Rodolfo, kjo e fundit vuan nga tuberkulozi dhe do të ndahet nga Rodolfo, sepse ai mendon që nuk ka mundësi ta ndihmojë të shërohet. Musetta ndahet nga Marcello dhe katër shokët rikthehen në jetën e tyre në papafingo. Ata vizitohen nga Musetta, e cila ka shoqëruar Miminë. Mimi dhe pse tani jeton e pasur, kur ndjen se vdekja po i afrohet, shkon drejt dashurisë së saj të vetme, Rodolfos. Ajo dëshiron të vdesë në krahët e tij, e rrethuar nga miqtë e saj të vërtetë. Musetta, Marcello, Schaunard dhe Colline bashkohen në një përqafim të fundit, ndërkohë që Rodolfo qan mbi trupin e pa jetë të Mimisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here