Krijuesit: Muzika shqiptare është e izoluar/ Institucionet nuk e promovojnë dhe s’ka aktivitete

0
27

Krijimtaria muzikore shqiptare është e harruar nga institucionet dhe mungojnë aktivitetet e ndryshme për promovimin e saj. Kështu shprehen krijues të muzikës dhe autorë tekstesh, që thonë se duhet bërë shumë më tepër për muzikën shqiptare. Me kritika ndaj institucioneve, autorë të ndryshëm thonë se për krijimtarinë shqiptare duhet që të ketë aktivitete, por në vitet e fundit rrallë janë parë dhe koncerte recitale të këngëtarëve të njohur. Kompozitori Miron Kotani apo dhe Xhahid Bushati autor tekstesh në këngë, shprehen se promovimi i muzikës shqiptare nuk bëhet. Kompozitori Miron Kotani thotë se Kosova ka treguar se është shumë më përpara se ne, në fushën e krijimtarisë muzikore. “Në vendin tonë duhet të ketë botime për muzikën, aktivitete të shumta, koncerte, evenimente, etj. Kosova është shumë më përpara se ne në këtë gjë. Para pak ditësh u zhvillua festivali i këngës qytetare “Luleborë” në Shkodër, dhe shumë mirë që u bë por pse mos të kishte çdo qytetet që ka tradita në fushën e muzikës qytetare festivalin e vet. Pra është një aktivitet shumë i vakët për muzikën në vendin tonë, por dhe pandemia ka bërë punën e saj në këtë situatë. Por ka shumë gjëra që mund të bëhen në ndihmë të krijuesve dhe kompozitorëve shqiptarë, por që nuk bëhen nga institucionet tona”, thotë Kotani. Herë pas here kompozitori Miron Kotani shprehet për problemet që janë sot në krijimtarinë muzikore shqiptare dhe ndihma që mungon për autorët, por sipas tij janë hapur lokalet e restorantet dhe ndalohet muzika. “Që këtu shihet çfarë mentalitetit i mbrapshtë është për shoqërinë, që na rrethon. Tek ne pas orës 20: 00 nuk ka më muzikë. Është problem i tërë shoqërisë, jo vetëm i institucioneve. Kur hapim televizorin në mëngjes kemi kanale të RTSH që dëgjon vetëm muzikë të huaj, që këtu fillon problemi. Vetëm 5viete e fundit, sa koncerte recitale të këngëtarëve shqiptarë kemi parë? RTSH sa spektakle ka bërë këto vite?”, thotë Kotani.

Një terr për krijimtarinë

Kompozitori Miron Kotani thotë se jo vetëm Ministria e Kulturës që ka përgjegjësinë e saj, por dhe Universiteti i Arteve duhet të bëjë më shumë për muzikën shqiptare. Kotani thotë se koncerti i fundit me krijimtarinë e Tonin Harapit në Universitetin e Arteve u zhvilluara para dy vitesh. “Jo vetëm Ministria e Kulturës që duhet të bëjë shumë më tepër për provimin e muzikës shqiptare, por dhe Universiteti i Arteve duhet të bëjë për çdo muaj nga një koncert recital për autorët shqiptarë, gjë të cilën nuk e bën më që para dy vitesh kur bëri koncertin me Tonin Harapin. Ashtu si dhe RTSH që duhet të japë muzikë shqiptare. Por krijimtaria muzikore shqiptare është e harruar. Unë dua të dëgjoj një këngë të Tonin Tërshanës, Vaçe Zelës, etj, por më del muzikë e huaj në të gjitha kanalet kombëtare në televizionet tona. Është një terr i tërë dhe muzika shqiptare është komplet e izoluar dhe e zhytur poshtë nëpër labirinte, që një zot e di se kur do dalë sipërfaqe”, shprehet Kotani. Me të njëjtin mendim për mungesën e vëmendjes ndaj muzikës shqiptare është dhe autori i teksteve Xhahid Bushati. Në qëndrimin e tij ai thotë se deri më tani Shkodra ka treguar se bën për muzikën, duke vlerësuar dhe festivalin “Luleborë”, që u zhvillua pak ditë më parë. “Nga Ministria e Kulturës për muzikën dhe këngën shqiptare, ajo që është kënga e vërtetë me fizionominë e tabanit tonë duhet promovuar. Madje si në Kosovë duhet të kemi dhe çmime në fushën e muzikës dhe jo me atë mori këngësh, që njeriu mërzitet duke e dëgjuar, që nuk kanë erë arti dhe nuk kanë pikë vlerë, dhe nuk po flasim dhe për vargjet që janë shumë të rëndomta. Por ne në Shkodër kemi festivalin “Luleborë”, që e pasuron traditën e këngës qytetare shkodrane. Festivali “Luleborë” është i shenjtë dhe ka vlera. Festivali u bë me mbështetjen e bashkisë, por ka vlerë dhe drejtoresha e teatrit sepse është këmbëngulja e saj, që u zhvillua”, thotë Bushati. Prej kohësh në lidhje me krijimtarinë muzikore shqiptare herë pas here krijues të ndryshëm i janë drejtuar institucioneve për më shumë vëmendje ndaj tyre.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj