Rritja e infeksioneve në Gjermani, grumbullohen rezervat për… letër higjienike

0
246

Alarmi se vala e dytë e pandemisë dhe rritja e frikshme e rasteve mund të risjellë një izolim të dytë ka bërë që ditët e fundit në Gjermani të ketë një dyndje në supermarkete për tu furnizuar me letra higjienike, letra kuzhine dhe ushqime që ruhen si makarona, miell etj.

Menaxheri i një supermarketi shprehet se “rritja e kërkesave nuk ka ndodhur vetëm te ne, e njëjta gjë në dyqanet e tjera. Kjo sjellje është thjesht egoiste ndaj klientëve të tjerë që blejnë ‘normalisht’, sepse përfundojnë para rafteve të zbrazëta. “

Gjermania regjistroi të enjten 6,638 raste të reja të infektuarve me koronavirus, duke arritur shifrën më të lartë ditore që nga fillimi i pandemisë.

Rritja e numrave erdhi vetëm disa orë pasi kancelarja gjermane, Angela Merkel u takua me udhëheqësit e 16 shteteve federale të Gjermanisë për të diskutuar vendosjen e kufizimeve më të ashpra për të ngadalësuar përhapjen e virusit.

Numri më i lartë i rasteve të reja të regjistruara më parë në një ditë ishte 6,294, më 28 mars, sipas shifrave nga qendra e kontrollit të sëmundjes së Institutit Robert Koch.

Kancelarja Merkel të mërkurën në mbrëmje njoftoi kufizime të reja për numrin e njerëzve që mund të tubohen, si dhe mbajtjen e maskës mbrojtëse në vende të mbushura me njerëz.

Sipas masave të reja, nëse një zonë regjistron më shumë se 35 infeksione të reja për 100,000 njerëz gjatë shtatë ditëve, maskat do të bëhen të detyrueshme në të gjitha vendet ku njerëzit kanë kontakt të ngushtë.

“Duhet të parandalojmë një rritje të pakontrolluar të rasteve”, ka thënë Merkel.

Numri i njerëzve që lejohen të mblidhen gjithashtu do të jetë i kufizuar në 25 në vende publike dhe 15 në hapësira private.

Sapo të tejkalohet një prag prej 50 infeksionesh të reja për 100,000 banorë, do të zbatohen kufizime edhe më të ashpra, raporton AFP.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here