Një ditë më parë ministrja e Shëndetësisë bëri të ditur se do të hapen kinematë, sigurisht në respektim të rregullave. Po ndërkohë mësohet se panairi i 23-të i Librit këtë vit nuk do të mbahet.
Lajmi bëhet i ditur nga Shoqata e Botuesve të Shqipërisë, sipas të cilëve nuk është aprovuar kërkesa për të zhvilluar panairin 12-15 nëntor.
“Të dashur kolegë botues, librarë, ekspozues, pjesëmarrës në Panairin e Librit të Tiranës, ju vëmë në dijeni që, pavarësisht gjithë interesimit tonë dhe përgatitjeve për të bërë të mundur organizimin e Panairit të 23 të Librit, sipas planifikimit më 12-15 nëntor 2020, përgjigja që erdhi sot, dt. 14.10.2020, nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, është negative, për shkak të “rrezikshmërisë së lartë në përhapjen e Covid-19 gjatë këtij aktiviteti, në situatën në të cilën ndodhemi”. Ju falënderojmë të gjithëve për mirëkuptimin dhe mbështetjen dhe ju urojmë punë të mbarë, Grupi organizator”, thuhet në njoftim.