Gjykata ka dënuar me 35 vite burg Hysnie Hoxhallari, e cila akuzohet për vrasjen dhe më pas djegien e burrit dhe vjehrrës së saj. Ndërkohë gjykata ka dënuar me burg përjetë të dashurin e saj, Kasem Pirjasin.
Pikërisht kjo lidhje jashtëmartesore dyshohet se ka çuar në krimin e dyfishtë të ndërmarrë nga nusja e shtëpisë 32-vjecare në bashkëpunim me të dashurin e saj 26-vjecar nga Fieri. Ngjarja ndodhi më 22 janar të vitit 2018 në lagjen “24 Maji” në Vlorë teksa 73-vjeçarja Salke Hoxhallari dhe djali i saj 43 vjeçar, Olsi Hoxhallari u gjetën me shenja dhe të djegur në banesë.
Nënë e bir, u goditën barbarisht gjatë kohës kur kanë qenë në gjumë dhe për të fshehur gjurmët autorët i kanë vënë flakën shtëpisë.
Ekspertiza tregoi se burri ishte goditur me sëpatë në kokë, ndërsa nëna e tij e moshuar ishte mbytur me tel, ndërsa flinin.