BE kërkon hetime/Nga Dedja e Broci, te Arjana Fullani e Petrit Fusha, 27 emra të ngelur në veting dhe të dorëhequr bëhen avokatë

0
54

Zbardhen emrat e gjyqtarëve dhe prokurove që nuk mundën të kalojnë vetingun që kanë hapur zyra avokatie. Dy ditë më parë gazeta publikoi alarmin e dhënë nga kreu i Avokatëve Penalistë, Saimir Vishaj, i cili e cilësoi absurde që të ngelurit në veting të kthehen në avokatë edhe pse kanë pasuri të pajustifikuar. Gazeta ka bërë një investigim dhe ka zbuluar disa emra që kanë hapur zyra avokatie. Të dhënat janë zbuluar në kuadër të regjistrit të Qendrës Kombëtare të Biznesit, ku në bazë të ekstrakteve tregohet se si shumë ish-gjyqtarë e prokurorë i janë futur botës së avokatisë, duke qenë se ligji i ka larguar për 15 vite nga detyra. Për këtë çështja ka pasur një debat të madh gjatë miratimi të ligjit të vetingut dhe ligjeve të tjera shoqëruese. Ligji i hartuar nga partnerët ndërkombëtarë e kishte të përcaktuar se kushdo ngel në veting nuk mund të bëhet avokat. Mirëpo mazhoranca qeverisëse e ndryshoi ligjin gjatë diskutimeve në komision edhe pse pati shumë ankesa. Për këtë arsye rezulton se nga 117 të ngelur në veting 22 kanë hapur zyra avokatie. Ndërkohë 5 ish-gjyqtarë e prokurorë të tjerë që janë bërë avokatë rezultojnë se janë dorëhequr para vetingut. Duhet theksuar se ka shumë të tjerë që pritet t’i bashkohen grupit, por nuk kanë marrë formë të prerë vendimet e shkarkimit të tyre.

Emrat e shkarkuar

Sipas të dhënave të QKB ka pasur një bum të madh licencimesh në muajt e fundit. Në listën e siguruar nga gazeta bie në sy se ka shumë emra të njohur. I pari që i është futur botës së avokatisë është Bashkim Dedja. Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese kaloi fazën e parë të vetingut, por ngeli në Apel për shkak të problemeve me pasurinë. Një shtëpi e tij në plazh i hapi shumë probleme, pasi ai u shpreh se ajo është në pronësi të të vëllait, ndërsa rezultonte se faturat e dritave dhe ujit ishin në emër të gjyqtarit. Tjetër emër është ish-gjyqtari Artan Broci. Vendimi për shkarkimin e Brocit, anëtar i Gjykatës së Lartë u mor me shumicë votash. Gjatë hetimit të thelluar, KPK konstatoi se Artan Broci ka probleme me shtyllën e pasurisë, pasi ka rezultuar me mospërputhje çmimesh për një apartament që ka blerë dhe ka shmangur taksat. Subjekti u mbrojt duke u shprehur se ka paguar detyrimet, por zyra e tatimeve nuk jep të dhënat. Gjykatësi ka marrë notë pozitive për aftësitë profesionale dhe nuk ka kontakte me njerëz të krimit.

Po ashtu në lista ka emra si: Adriatik Cama, Antoneta Sevdari, Rovena Gashi apo Petrit Fusha. Gashi u largua me përplasje të forta nga sistemi, ndërsa Fusha u dorëhoq. Sipas të dhënave të QKB shumica e zyrave të avokatisë janë hapur gjatë viteve 2019 dhe 2020.

Të dorëhequrit

Përveç emrave që janë shkarkuar nga vetingu, janë dhe 5 të tjerë që janë dorëhequr nga detyra dhe i janë futur fushës së avokatisë. Arjana Fullani, ish-anëtare e Gjykatës së Lartë dhe bashkëshortja e Ardian Fullanit rezulton sipas QKB që ka hapur zyrë avokatie. Ajo u dorëhoq nga sistemi i drejtësisë dhe për pasojë i shpëtoi dhe vetingut. Një tjetër emër është Mirela Fana, edhe kjo ish-anëtare e Gjykatës së Lartë. Në QKB rezulton se ajo është bërë bashkëpronare në zyrën e avokatisë së bashkëshortit. Mes emrave është dhe ai i ish-kryeprokurorit të Tiranës Petrit Fusha. Edhe ai ka hapur zyrë avokatie. Sipas QKB zyra e avokatisë është hapur më 13/05/2019. Ajo që bie në sy është se Bashkimi Europian në progres raportin e fundit kërkon që të nisin hetimet ndaj të ngelurve në veting, pasi pretendohet se pasuria e tyre është e paligjshme dhe prokuroria duhet të vihet në lëvizje. Momentalisht vetëm 28 vetë janë në hetim nga 117 të ngelur në total. Nga ana tjetër ka një pikëpyetje pasi neni 13 i ligjit për avokatinë ka një përcaktim që disi e ndalon që të shkarkuarit në veting të bëhen avokatë.

Lista e emrave që janë bërë avokatë

Të shkarkuarit avokatë

1.      Bashkim Dedja, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese

2.      Gentian Trenova, ish-prokuror i Apelit të Tiranës

3.      Artan Lazaj, ish-gjyqtar i Tiranës

4.      Adriatik Cama, ish-prokurori i Prokurorisë së Tiranës

5.      Antoneta Sevdari¸ ish-prokurore e Prokurorisë së Tiranës

6.      Rovena Gashi, ish-prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme

7.      Artan Broci, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë

8.      Elsion Sadiku, ish-prokuror në Prokurorinë e Korçës.

9.      Arben Nela, ish-prokuror i Prokurorisë së Tiranës

10.  Ervin Metalla, gjyqtar i Apelit të Tiranës

11.  Bujar Hoti, ish-prokuror i Apelit në Durrës

12.  Ahmet Jangulli, gjyqtar i Gjykatës Administrative të Shkodrës

13.  Entela Prifti, ish-kryetarja e Gjykatës së Apelit Korçë

14.  Ramadan Troci, ish-prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme

15.  Shpëtim Kurti, ish-prokuror i Prokurorisë së Tiranës

16.  Izet Kadana, ish-kryetar i Gjykatës së Pukës

17.  Agron Vavla, ish-kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat

18.  Arben Zefi¸ ish-kryetar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër

19.  Alltun Çela, ish-gjyqtar i Sarandës

20.  Hysni Demiraj, ish-kreu i Gjykatës së Apelit Tiranë

21.  Fatmir Lushi, ish-prokuror në Prokurorinë e Elbasanit

22.  Roland Jaupaj, ish- kryetari i Gjykatës së Fierit

Të dorëhequrit avokatë

1.      Arjana Fullani, ish-anëtare e Gjykatës së Lartë

2.      Aleksandër Muskaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë

3.      Mirela Fana, ish-anëtare e Gjykatës së Lartë

4.      Evelina Qirjako, ish-anëtare e Gjykatës së Lartë

5.      Petrit Fusha, ish-drejtues i Prokurorisë së Tiranës

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj