Publikohen përfundimet për Shqipërinë në progres-raportin që Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, do të prezantojë ditën e sotme.
Sipas përfundimeve, Shqipëria ka përparuar drejt objektivave strategjikë me vendimin e Këshillit për të hapur bisedimet për anëtarësim. Autoritetet vijuan të tregonin publikisht përkushtimin për të përparuar në rrugën e integrimit europian, bazuar mbi mbështetjen e fortë popullore ndaj anëtarësimit në BE.
Shqipëria vijon të mbajë qëndrim 100% në përputhje me linjën e Bashkimit Europian sa i përket politikave të jashtme. Pavarësisht gjendjes së jashtëzakonshme, Shqipëria ka bërë përparime vendimtare dhe është pranë plotësimit të kushteve të vendosura në prag të konferencës së parë ndërqeveritare.
Polarizimi i tensionuar politik mori fund në 20 janar, kur palët ranë dakord që të punojnë mbi reformën zgjedhore. Më në fund marrëveshja u arrit më 5 qershor 2020, duke zbatuar rekomandimet e OSBE/ODIHR.
Përveç kësaj, Parlamenti miratoi disa amendamente në Kushtetutë që kanë lidhje me sistemin zgjedhor. Zbatimi i këtyre ndryshimeve që nuk kanë lidhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, kërkonin amendime të mëtejshme të kodit zgjedhor të cilat u diskutuan mes partive në Këshillin Politik, por pa arritur një kompromis, Parlamenti i miratoi në 5 tetor. Pavarësisht rezultatit pozitiv të marrëveshjes së 5 qershorit 2020, dialogu politik në vend duhet të përmirësohet, në veçanti në lidhje me kodin zgjedhor dhe zbatimin e tij.