Babai i njërit prej djemve të zhdukur në Malësinë e Madhe dyshon se djali i tij është vrarë pasi kishin dëgjuar edhe krisma armësh. Ai i bën apel shtetit që të gjejnë të rinjve ndërsa dyshojnë se vrasës është djali i tretë Danieli. Ky i fundit dyshohet se është arratisur drejt Malit të Zi.
“Klement Pepaj ka humbur vetë i treti. Kanë dëgjuar krisma armësh në drejtim të një zone pyjore që quhet Razëm. Policia ka bashkëpunuar me ne, por nuk dimë asgjë për të. Njëri është djali im, tjetri djali i dajës. Sipas të tjerëve, kanë qenë në Razëm. Unë me djalin kam komunikuar vazhdimisht, ndoshta ka pasur konflikte por s’mi ka shfaqur mua. Ne nuk kemi ditur gjë vetëm kur ka ardhur policia në 3 të natës, na ka thënë ku është Keli. Atë natë nuk kishim as drita. Pyetën ku është Keli, pamë dhe nuk ishte aty. Na thërritën në rajon të policisë. Ne nuk dinim asgjë. Ne jemi të afërm. Klementi ka ardhur para një viti se ka qenë në Francë, ka punuar në një kioskë të vogël në Razëm. Kam frikë mos e ka implikuar njeri me ndonjë problem. Sipas versionit, i kanë thënë disa bashkëfshatarë policisë se kanë pasur probleme të trafikut të drogës. Sipas dëshmitarëve, djali i axhës, Danieli është parë me armë. Këto janë thjesht thënie, unë nuk e di të vërtetën se nuk kam qëllime konfliktesh. Jo se nuk ka bashkëpunuar policia me ne po i kërkoj Ministrit të Brendshëm që të vërë në dispozicion gjithcka që t’i sjellë kufomat tek shtëpia”, tha ai.