Refuzon Trump/ Rama: SHBA mbetet pikë referimi për ne, por për çështjen e ambasadës në Izrael jemi në një linjë me BE

0
300

Kryeministri Edi Rama duket se ka refuzuar një nga kërkesat e presidentit amerikan Donald Trump, atë të zhvendosjes së ambasadës shqiptare në Jerusalem. Presidenti i dërgoi një letër, ku kërkon ndërprerjen e marrëveshjeve me Kinën, si dhe bashkimin me Kosovën dhe Serbinë për ambasadën në Izrael. Por Rama dje duke folur në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Kosovës, ku tha se për politikën e jashtme Shqipëria është në një linjë me BE. Vendet europiane nuk e pranojnë kalimin e ambasadave në Jerusalem. “Shqipëria është vendi që ka pasur më shumë hebrenj pas luftës se para luftës, i vetmi në Europë. Është vendi ku hebrenjtë kanë gjetur strehë, mbrojtje dhe siguri aq të madhe sa asnjë hebre nuk i është dorëzuar nazistëve, madje shqiptarët janë dorëzuar tek nazistët duke u paraqitur ata si hebrenjtë që mbanin në shtëpi. Shqipëria është vendi që ka jo vetëm një lidhje të vjetër, por edhe një respekt të madh për Izraelin. Por Shqipëria në politikën e jashtme në këtë aspekt është komplet e linjëzuar me Bashkimin Europian”, u shpreh kryeministri Rama. Në të njëjtën linjë u pyet dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duke qenë se zhvendosja e ambasadës në Jerusalem ishte një nga pikat e marrëveshjes së nënshkruar më 4 shtator mes Serbisë dhe Kosovës. Ndryshe nga kryeministri shqiptar, kreu i qeverisë së Kosovës konfirmoi qëndrimin pro amerikan të Kosovës sa i përket politikës së jashtme dhe konkretisht qëndrimit ndaj Izraelit. “Ne jemi vend i ri, kemi nevojë për njohje. Me marrëveshjen e Uashingtonit, veç marrëveshjeve ekonomike, ka ardhur edhe një njohje që është tepër e rëndësishme, pasi hap një perspektivë tjetër në konsolidimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në këtë pikë më vjen mirë që në politikën e jashtme ne jemi në një vijë me politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha kryeministri Hoti. Rama komentoi gjithashtu kërkesën tjetër të presidentit Donald Trump, i cili kërkoi nga vendi ynë të tërhiqet nga marrëveshja 17+1 me Kinën. Ai tha se kjo është çështje që i takon Shqipërisë. “Jam shumë i kënaqur për vlerësimin tim nga Trump dhe të kësaj qeverie, qoftë në aspektin e rajonit, qoftë edhe në disa qëndrime që janë bindje dhe nuk janë qëndrime oportuniste. Patjetër që SHBA ka qenë dhe është pikë referimi e palëvizshme për ne. Ne dëgjojmë, respektojmë dhe vendosim në bazë bindjesh. Ne kemi qartësisht qëndrime të përbashkëta në interesat strategjike. Në këto qëndrime në rastin konkret burojnë nga bindja. Këto janë çështje e jona dhe si çështje e jona i trajtojmë me shumë kujdes në momentin e duhur gjithmonë në interesat strategjike të Shqipërisë. Në politikën e jashtme jemi të linjëzuar me BE-në”, shtoi Rama.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here