Google search engine
Home Aktualitet Si u krijua celula terroriste me bazë në Itali/ Gjecaj: Kam fëmijë...

Si u krijua celula terroriste me bazë në Itali/ Gjecaj: Kam fëmijë të vegjël, dënimin ta vuaj këtu

0
346

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 43- vjeçaren Lubjana Gjeçaj, e arrestuar pak ditë më parë pasi rezultonte e dënuar në Itali.

Lubjana Gjeçaj, sipas Prokurorisë është dënuar me tri vite burg në shtetin fqinj, për veprën penale “Pjesëmarrje në organizata terroriste”. Masa e sigurisë “Arrest me burg”, e caktuar nga gjyqtarja Vjollca Spahiu, u dha me qëllim për t’u bërë më pas ekstradimi i 43-vjeçares në Itali. Ndërkohë, vetë Lubjana Gjeçaj që ishte e pranishme në seancën e djeshme, kërkoi që masën e dënimit që ishte caktuar ndaj saj në shtetin italian ta kryente në vendin tonë. Kjo, sepse ka tre fëmijë të vegjël dhe vjehrrën të sëmurë.

“Unë kam qenë në dijeni për vendimin e dhënë ndaj meje në Itali. Kam dashur të shkoj ta vuaj, por shteti italian s’më ka lejuar. Do të bëj kërkesë që dënimin ta vuaj këtu sepse kam 3 fëmijë, më i vogli 3 vjeç dhe vjehrra është e sëmurë”, është shprehur Gjeçaj para trupit gjykues.

Janë autoritetet italiane ato që duhet të vendosin mbi kërkesën e bërë nga gruaja e akuzuar për terrorizëm, nëse do të ekstradohet ose jo. Gjeçaj u arrestua 3 ditë më parë në kryeqytet, në zonën e “Astirit”. Hetimet për të nisën në vitin 2015 nga prokurorët italianë. Sipas tyre, Lubjana Gjeçaj akuzohet për pjesëmarrje në një grup radikal, që rekrutonte luftëtarë për Shtetin Islamik ISIS. Bëhet fjalë për kohën kur gruaja 43-vjeçare jetonte si emigrante në vendin fqinj. Në korrik të 2015-ës, gjatë operacionit të koduar “Martesa” u prangosën 10 persona: 4 italianë, 5 shqiptarë dhe 1 kanadez.

Pjesë e këtij grupi ishin edhe Baki Çoku, i cili u arrestua në qytetin e Lushnjës dhe më pas u ekstradua në Itali; Dritan Gjeçaj, bashkëshorti i Lubjana Gjeçajt; Aldo Kobuzi dhe Arta Kakabuni. Sipas autoriteteve italiane, ky grup kryente martesa mes të rinjve dhe i dërgonte ata fillimisht në Turqi e më pas në Siri për të luftuar për Shtetin Islamik ISIS. Detyra e Lubjanës ishte mbajtja e një forumi të propagandës në internet, që synonte futjen e grave në Kalifat.

Si u krijua celula terroriste

Një krushqi e lidhur në vitin 2014 mes familjes së një vajze të re italiane dhe një shqiptari me origjinë nga Laçi, ishte shndërruar shumë shpejt në një celulë terroriste që rekrutonte luftëtarë për ISIS-in (Shtetin Islamik). Pas 8 muajve hetime, në një operacion të gjerë të shtrirë në disa qytete në Itali dhe në qytetin e Lushnjës në Shqipëri, 10 persona ranë në pranga (4 italianë, 5 shqiptarë dhe 1 kanadez). Operacioni është koduar “Martesa” në shqip, pikërisht prej dashurisë që 27-vjeçarja napolitane, Maria Giulia Sergio, kishte kurorëzuar në martesë me shqiptarin 27- vjeçar, Aldo Kobuzi, në shtator të vitit 2014. Vetëm një muaj më vonë, me largimin e çiftit në Siri nisën edhe hetimet, të cilat zbuluan të gjithë bazën e që u konkretizuan me arrestime. Ndërkohë, Lubjana Gjeçaj, 43- vjeçarja nënë e 3 fëmijëve, e cila ishte pjesë e organizatës terroriste, kryente martesa mes të rinjve dhe i dërgonte ata në Turqi dhe më pas në Siri për të luftuar për të ashtuquajturin Shteti Islamik.

ARRESTIMET NË ITALI

Në Itali janë arrestuar babai i italianes, Sergio, me profesion murator, me emrin e konvertuar në Islam Ibrahim; nëna e saj Assunta, motra Marianna dhe tezja e bashkëshortit të saj, Aldos, Arta Kacabuni, rezidente në Scansano. Ndërsa në operacionin, i cili u zhvillua nga Policia jonë, u arrestua në Lushnjë Baki Çoku, daja i të riut të martuar me xhihadisten italiane.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here