Historia e kalasë së Gjirokastrës tashmë edhe në alfabetin Braille

0
344

Historia e kalasë së Gjirokastrës vjen edhe në alfabetin Braille, duke iu gjendur pranë komunitetit të njerëzve që nuk shohin. Kalaja e Gjirokastrës pjesë e trashëgimisë kulturore në vendin tonë është mjaft e njohur për vlerat dhe rëndësinë e saj, ndërsa projekti për alfabetin Braille që u zbatua në këtë monument kulture do të vijojë dhe më tej në vendin tonë. Lajmi bëhet me dije nga ministrja e Kulturës Elva Margariti, e cila thotë se pjesë e këtij projekti do të jenë dhe site e monumente të tjera të kulturës. “Askush nuk duhet të jetë i privuar nga informacioni, por edhe shijimi i historisë dhe së bukurës. Historia e kalasë së Argjirosë, në Gjirokastër tashmë vjen edhe në alfabetin Braille, duke iu gjendur pranë kësisoji komunitetit të njerëzve që nuk shohin. Ky projekt do të shtrihet edhe në të tjera site e monumente të kulturës”, shprehet ministrja e Kulturës. Kalaja e Gjirokastrës është një ndër më të mëdhatë në Ballkan. Ajo ndodhet në kodër nga ku shihet gjithë qyteti, si për të dëshmuar historinë e gjithë rajonit në shekuj. Data e ndërtimit të këtij fortifikimi është ende e paqartë. Nëse muret e kalasë së Gjirokastrës do të flisnin, ata do të tregonin shumë histori për civilizimet e ndryshme dhe legjendat që kanë jetuar këtu prej shekujsh. Zbulimet arkeologjike në zonën e kështjellës, tregojnë se ky vend është jetuar që nga shekulli IV-V. Sipas historianëve muret e parë të këtij fortifikimi mund të jenë ndërtuar pas rënies së Hadrianopolisit. Por muret e para të qytezës u ndërtuan në shekullin e 12-13. Kalaja u ndërtua fillimisht si një pronë tipike feudale të kohës, nga familje të pasura, që donin të ishin të sigurta dhe të mbroheshin nga luftërat e ndryshme. Më vonë ajo u kthye në një qendër të banuar për shumë familje të tjera. Për herë të parë emri Gjirokastër u përmend në një dokument të vitit 1336 nga J. Kantakuzeni (History of Albania 1959). Ai shkruante për një revoltë të popullit arbëresh kundër perandorisë bizantine në një qytet të quajtur Argyrokastron. Në 1419 kalaja dhe qyteti u pushtuan nga perandoria otomane. Ajo që ne shohim sot nga kështjella daton në shekullin e 19. Emri Argjiro është i lidhur me legjendën e një princeshe, që u hodh nga kështjella me fëmijën e vogël për t’u shpëtuar otomanëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here