“Prirja është drejt biznesit dhe jo te vlerat artistike”/Autorët: Mediokriteti ka pushtuar këngën

0
46

Tekstet e këngëve sot në një pjesë të tyre nuk kanë vlera artistike. Sot shumë këngë lënë për të dëshiruar për atë që përcjellin përmes vargjeve, por duket se në vendin tonë kjo krijimtari po shihet më tepër për biznes se sa për vlerat artistike. Kështu shprehen në reagimet e tyre muzikologë dhe autorë tekstesh, që kanë vite që merren me krijimtarinë muzikore dhe këngën. Në reagimet e tyre ata thonë se të flasësh për këngën sot problemi nis që nga institucionet, që duhet të jenë më të kujdesshëm në këtë drejtim, e kur flitet për festivalet dhe aty sipas tyre ka jo pak probleme me tekstet. Muzikologu Zamir Këlliçi shprehet se sot institucionet as nuk duan t’ia dinë se çfarë ndodh me artin dhe kulturën në vend. “Ashtu siç është vulgarizuar çdo qenie e jetës njerëzore shqiptare po të njëjtën edhe tekstet muzikore do ti përshtaten kësaj situate. Institucionet përkatëse as nuk duan t’ia dinë se çfarë ndodh me artin dhe muzikën. Ndonjërit i teket dhe bën bejte, shkruajnë dhe vulgarizma, etj. Sot kemi tekste këngësh, që janë mizerabël”, shprehet muzikologu Këlliçi. Në reagimin e tij ndërsa shprehet me shumë kritika për tekstet e këngëve sot, që herë pas here lënë për të dëshiruar dhe në skenat festivaleve të ndryshme në vend, ai thotë se nga kjo përjashtohen një grup autorësh, që prej vitesh janë të njohur me krijimtarinë e tyre. “Sot ka shumë probleme, por këtu përjashtohen vetëm një grup autorësh tekstesh të njohur, që prej disa vitesh kanë shkruar tekste të mira për këngët”, thotë muzikologu Zamir Këlliçi. Autor tekstesh Xhahid Bushati një vit më parë u nderua me çmim të parë në një prej festivaleve më të mira të këngës qytetare në vend, bëhet fjalë për atë “Lule borë” që vijon të ruajë traditën dhe kulturën. Në reagimin e tij duke folur për çfarë ndodh sot me disa prej aktiviteteve që zhvillohen në vend apo në tregun muzikor, autori i njohur Xhahid Bushati thotë se sot një pjesë e teksteve nuk ka vlerë. “Si një rezultat i një përvoje, që kam me festivalin e këngëve për fëmijë si autor tekstesh ashtu si dhe në shumë festivale të tjera të këngës dhe koncerteve si autor mund të them, që ka një kod estetik mes marrëdhënies së muzikës me tekstin. Kjo ka qenë si pasojë e një redaktori letrar, që ka qenë në festivale kombëtare të këngës apo dhe të festivalit për fëmijë. Ndërsa sot jo vetëm që është shpërdoruar kjo, por tekstet e këngëve në një pjesë të konsiderueshme nuk kanë vlerë fare artistike dhe estetike. Gjithkush është bërë autor tekstesh. Pa harruar, që gjen sot të njëjtën fjalë të thënë 12 a 15 herë gjoja për vlerë”, thotë autori Bushati.

Pa vlera etike dhe estetike

Duke folur për problemet që janë sot me këngët, autori Xhahid Bushati thotë më tej se edhe në aktivitete që janë kombëtare tekstet e këngëve jo pak herë janë të diskutueshme për vlerat, që duhet të përcjellin. “E kam fjalën dhe për festivalin kombëtar, që unë kam vërejtje për tekstet por themelore në një tekst muzikor është fabula dhe gjetja. Përkundrazi këto janë dy elemente ose dy nocione themelore, që nuk kanë as fare gjetje, as fare fabul. Pra prirja e shumë këngë është drejt biznesit. Kjo është arsyeja që sot nuk ka një lloj elementi etik dhe estetik, një elementi redaktorial do të thoja, por ka shpërthyer fare dhe më duken së paku sa i ndjek në televizione këngët e reja sikur janë të predispozuara për dasma. Janë këngë të drejtuar drejt biznesit dhe pa fabula, pa gjetje”, thotë Bushati. Ndërsa në tregun muzikor dëgjon këngë me tekste që sipas muzikove apo autorëve të njohur janë dhe mizerabël, Xhahid Busati shton më tej se shpeshherë edhe kompozitorët e njohur janë lënë hije. “Me sa duket biznesi e ka kaplu këtë punë dhe vazhdon ta mbijetojë dhe është për të ardhur keq kur shikoj këngëtarë, që janë autorë tekstesh që nuk ia kanë idenë fare. Nuk po diskutoj për të tjerat që janë, por mediokriteti mendoj që e ka pushtuar këngën. Sot kemi dhe kompozitorë të njohur, që janë lënë në hije. Nuk mund të flitet më për ecuritë e këngës, por për këngë biznesi dhe nuk ka analiza, gjykime se si do të jen prirjet e kësaj kënge shqiptare”, thotë ai. Në reagimin e tij, autori Xhahid Bushati ashtu si dhe të tjerë autorë thotë se kënga që quhet këngë duhet të ketë vlerat, ngjyrat dhe tiparet e saj.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj