Fondi i krijimtarisë letrare për të rinj, aplikimet deri më datë 28 gusht

0
37

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka hapur prej disa ditësh aplikimet për “Fondin e Krijimtarisë Letrare për të Rinj”. Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se ky aplikim do të vijojë deri në ditët e fundit të muajit gusht. ““Fondi i Krijimtarisë Letrare për të Rinj” është një projekt, që synon të inkurajoj shkrimtarët e rinj. Aplikimi vazhdon të jetë i hapur deri më 28 gusht, për të gjithë autorët e rinj nën 35 vjeç, të cilët kanë një vepër të shkruar në prozë ose poezi. Për më shumë shihni faqen zyrtare të QKLL”, shkruan ministrja Margariti në profilin e saj në Facebook. Aplikimet për këtë fond u shpallën nga QKLL më datë 10 korrik, dhe siç shprehej më herët institucioni ky fond do të nxisë dhe mbështesë financiarisht procesin krijues të autorëve të letërsisë së sotme shqipe. QKLL-ja do t’u japë përparësi krijuesve të rinj, duke marrë parasysh vështirësitë që ata hasin për t’u evidentuar dhe promovuar në fushën e letrave. “Fondi i Krijimtarisë Letrare për të Rinj” do të vijojë të shpallet edhe në vitet e ardhshme nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Aplikimi kryhet nga botuesi, i pajisur me licencë botimi, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor. Financimi për mbështetjen e procesit krijues të veprës do të mundësohet nga QKLL-ja dhe i shkon drejtpërdrejt autorit. Misioni i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL) është ndjekja dhe zbatimi i projekteve në fushën e librit, sipas programit qeverisës të ministrisë përgjegjëse për librin, duke synuar përhapjen e kulturës së leximit në të gjithë vendin, nxitjen e krijimtarisë, forcimin e rolit promovues dhe edukativ të bibliotekave dhe mbështetjen e projekteve për promovimin e letrave shqipe në tregun evropian dhe atë botëror. Të ardhurat e QKLL-së përbëhen nga buxheti i shtetit dhe të ardhura të tjera, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ndër të tjera QKLL-ja, nëpërmjet buxhetit të saj të miratuar për çdo vit kalendarik, financon projekte të paraqitura nga persona fizikë ose juridikë, që kanë si objekt të veprimtarisë së tyre fushën e librit. Realizimi i projekteve të QKLL-së miratohet me urdhër të titullarit, pas propozimit nga kolegjiumi.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj