Beteja për Gjykatën Kushtetuese/ Administrativja rrëzon KED dhe kthen në garë një prej kandidatëve, ja fati i emrave të tjerë

0
317

Gjykata Administrative e Apelit ka rrëzuar Këshillin e Emërimeve në Drejtësi sa i takon skualifikimit të kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese. Më 17 korrik të këtij viti KED skualifikoi nga gara të gjithë kandidatët që kishin shprehur interes për t’u bërë anëtarë në Kushtetueses, por 3 prej tyre iu drejtuan Gjykatës Administrative të Apelit të Tiranës, duke kërkuar anulimin e vendimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Bëhet fjalë për Shaqir Hasanaj, Ardita Buna (Alsula) dhe Vjosa Bodo (Mujo), të cilët kanë paditur në datën 2 dhe 4 gusht vendimet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili i skualifikoi nga gara për 2 vendet vakante që i takojnë Kuvendit dhe Presidencës në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë që dje Administrativja ka marrë vendim për dy të parët, ku ka rrëzuar KED-në dhe kthyer në garë një prej kandidatëve. Sipas vendimit të siguruar nga gazeta dhe që kishte si relatore Alkelina Gazidedjan, Gjykata Administrative bën me dije se ka pranuar që të pranojë padinë e zotit Hasanaj, duke e kthyer kështu këtë të fundit në garë. “Pranimin pjesërisht të padisë. Shfuqizimin e vendimit nr.15, datë 17.07.2020 të nxjerre nga i padituri Këshilli i Emërimeve në Drejtësi; Shfuqizimin e vendimit nr.16, datë 17.07.2020 të nxjerrë nga i padituri Këshilli i Emërimeve në Drejtësi; Pushimin e gjykimit të çështjes për kërkimet e tjera të padisë; Ky vendim është përfundimtar dhe i formës së prerë; Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës së paditur. U shpall sot më 10.08.2020 në Tiranë”, thuhet në vendimin e Gjykatës Administrative. Por rrëzimi i vendimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nga ana e Gjykatës Administrative të Apelit, duke kthyer në garë kandidatin Shaqir Hasanaj, do të thotë se KED duhet të mblidhet sërish për të vendosur se si do të procedohet me kandidatin në fjalë. Kujtojmë që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi e kishte rrëzuar kandidaturën e Hasanajt për në Kushtetuese, pasi sipas tij, nuk plotësonte kushtet ligjore.

Ja fati i emrave të tjerë

Por Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur edhe për fatin e kandidatit të dytë. Bëhet fjalë për padinë e Ardita Buna (Alsula), e cila kërkonte rrëzimin e vendimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, që e kishte skualifikuar nga gara për Gjykatën Kushtetuese. Në vendimin e siguruar nga gazeta, Administrativja i ka dhënë të drejtë KED, ndërsa ka rrëzuar padinë e zonjës Buna. “Rrëzimin e kërkesës padisë; Ky vendim është përfundimtar dhe i formës së prerë; Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës paditëse. U shpall sot më 10.08.2020 në Tiranë”, thuhet në vendim. Ndërkohë sa i takon fatit të kandidates së tretë Vjosa Bodo (Mujo), e cila kërkonte rrëzimin e vendimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që e skualifikoi nga gara më 17 korrik për Gjykatën Kushtetuese, Gjykata Administrative e Apelit nuk është shprehur ende se çfarë vendimi ka marrë. Pra, këto lëvizje të fundit tregojnë se është rihapur sërish beteja për Gjykatën Kushtetuese, e cila vijon të jetë e bllokuar për shkak se ka vetëm 4 anëtarë nga 9 që duhet të ketë. Megjithatë mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here