Përmbaruesit në veting, Gjykata Administrative rrëzon kërkesën e tyre, gati të marrë fund gangrena e grabitjes me përmbarimin

0
353

Përmbaruesit nuk kanë arritur të ndalin planin e qeverisë për t’i futur në veting. Shërbimi përmbarimor në Shqipëri mund të thuhet me plot gojën se është gangrenë grabitje për shumë qytetarë. Tarifat janë tepër të larta dhe ka pafund procedura burokratike. Ministria e Drejtësisë në qershor të këtij viti miratoi një urdhër, ku urdhëroi të gjithë përmbaruesit privatë të deklarojnë të gjitha të dhënat e tyre. Pra bëhet fjalë për një lloj vetingu për punën e tyre. Por ky urdhër nuk është pritur aspak mirë nga ana e përmbaruesve, të cilët sapo u njohën me të ngritën një padi në Gjykatën Administrative. Shkalla e parë shpalli moskompetencë për çështjen.  “Pala paditëse Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë i është drejtuar Gjykatës Administrative te Shkallës se Parë Tiranë me kërkesë-padinë që ka objektin e sipërpërmendur, kundër të palës së paditur Ministria e Drejtësisë. Gjykata bazuar në nenin 28 te Ligjit nr. 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, ka caktuar brenda 05 ditëve seancën për shqyrtimin e kërkesës për masë sigurim padie. Në seancën e datës 27.07.2020 Avokatura e Shtetit ka ngritur çështjen e moskompetencës funksionale te Gjykatës Administrative te Shkallës së Parë Tirane, pasi akti administrativ objekt padie është akt nënligjor normativ, ndaj kompetente për shqyrtimin e tij është vetëm Gjykata Administrative e Apelit”, thuhet në vendimin e Gjykatës Administrative. Por përmbaruesit ju drejtuan Apelit dhe dje u mbajt seanca ku u vendos kundër tyre. Përmbaruesit e kundërshtuan urdhrin në gjykatë dhe njëherazi kërkuan pezullimin e urdhrit derisa çështja të zgjidhej në themel, por kjo s’u pranua nga Apeli Administrativ. Pra kjo do të thotë se urdhri do të mbetet në fuqi derisa të merret vendimi final.

Ja padia

Përmbaruesit privatë në datën 21 korrik duke kundërshtuar urdhrin e Ministrisë së Drejtësisë dorëzuan një padi në Gjykatën Administrative të Tiranës. Ata kërkuan nga gjykata që të shfuqizohej ky urdhër dhe të mos i nënshtrohen vetingut. “Marrjen e masës së sigurimit të padisë duke vendosur pezullimin e zbatimit të aktit administrativ, urdhër i ministrit të Drejtësisë nr. 190, datë 22.6.2020 “Për miratimin e listës së dokumenteve dhe formatit të vetëdeklarimit për rifreskimin e dosjeve personale të përmbaruesve gjyqësorë privatë”. Pranimin e plotë të kërkesëpadisë, shfuqizimi e aktit administrativ, urdhër i ministrit të Drejtësisë nr. 190, datë 22.6.2020 “Për miratimin e listës së dokumenteve dhe formatit të vetëdeklarimit për rifreskimin e dosjeve personale të përmbaruesve gjyqësorë privatë”, thuhet në padinë e përmbaruesve. Në argumentin e tyre përmbaruesit kanë dalë kundër nënshtrimit të tyre në proces vetingu, duke u shprehur se qeveria duhet të kërkonte vetëm përditësim të të dhënave përmes një regjistri që është në Ministrinë e Drejtësisë. “Për pasojë, qëllimi i urdhrit nuk duhej të synonte kryerjen e procesit të vetingut në shërbimin përmbarimor gjyqësor privat, por përditësimin e të dhënave nëpërmjet deklarimit të regjistrimit të tyre pranë Ministrisë së Drejtësisë. Për më tepër, nisur nga përmbajtja e urdhrit objekt ankimi, duam të vëmendësojmë Gjykatën se, procese të llojit “vetting”, janë procese që kryhen vetëm në raste përjashtimore, nën autorizime kushtetuese, nga organe të pavarura”, thuhet në padi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here