Shkarkimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga vetingu/ Kursehen 1.3 milionë dollarë nga rrogat e patërhequra

0
323

Procesi i vetingut që ka sjellë një valë shkarkimesh të gjyqtarëve dhe prokurorëve duket se e ka futur në kolaps sistemin e drejtësisë, pasi një sërë gjykatash kanë mungesë stafi, por ka edhe nga ato që janë jashtë funksionit, siç është Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese. Por boshatisja e sistemit të drejtësisë nga procesi i vetingut, përveç anës negative që ka sjellë probleme në trajtimin e një sërë dosjesh, duket se ka edhe një efekt pozitiv në buxhetin e shtetit nga taksapaguesit shqiptarë. Rreth 1.3 milionë dollarë janë kursyer nga buxheti i vitit 2020 për shkak të pagave të pashpërndara për gjyqtarët e larguar nga sistemi, një kohë që ata janë zyrtarët me rrogat më të larta në administratë, të cilat shkojnë deri në 3 mijë dollarë në muaj. Këto shifra janë zbardhur nga vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor që mban datën 7 korrik 2020, ku theksohet se janë pakësuar me rreth 1.3 milionë dollarë fondet buxhetore për vitin 2020. Institucioni që qeveris gjykatat në vend ka vendosur rishikimin e buxhetit për vitin 2020, në programin e KLGJ-së, “Planifikim, Menaxhim, Administrim”, duke pakësuar fondet buxhetore në shpenzime personeli, në shumën prej 13 milionë lekë. Në programin e gjykatave, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pakësuar fondet buxhetore në shpenzime personeli në shumën prej 140 milionë lekë, i ndarë në 128 milionë lekë dhe 12 milionë lekë. Në mënyrë më të specifikuar, Fondi prej 128 milionë lekë pakësohet: 48,000,000 lekë në shpenzime për pagat e Gjykatës së Lartë dhe 80 milionë lekë në shpenzime për paga të mbajtura të pashpërndara. Pra duket se shkarkimi nga komisionet e vetingut ka kursyer taksapaguesit shqiptar. Por vetingu ende nuk ka përfunduar. Gjatë muajit shtator, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit do vijojnë me seancat për njerëzit e drejtësisë dhe pritet që deri në fund të këtij viti, buxhetit të shtetit t’i kursehet akoma lek nga pagat për gjyqtarët dhe prokurorët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here