Shtimi i rasteve të reja me koronavirus ka bërë që në çdo institucion të krijohen radhë të gjata. Në radhë po vijojnë të qëndrojnë edhe të moshuarit, të cilët janë dyndur në dyert e Postës Shqiptare për të marrë pensionin. Por duke marrë parasysh që moshat e treta janë më të rrezikuar nga virusi, atëherë posta ka marrë një nismë dhe po sqaron çdo pensionist për mënyrën se si të veprojnë për të marrë paratë në shtëpi. Përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook, Posta Shqiptare thekson se pensionistët duhet të plotësojnë një formular aplikimi në zyrat e tyre me të dhënat personale dhe adresën e shtëpisë dhe korrierët ia çojnë paratë në shtëpi. “Posta Shqiptare jua sjell pensionin tuaj në derën e shtëpisë, si alternativa më e mirë për një shërbim të shpejtë dhe të sigurt! Vijojmë fushatën e komunikimit me pensionistët mbi ofrimin e shërbimit të shpërndarjes së pensionit në adresë, në Filialin Tiranë. Nxitoni të plotësoni formularin e aplikimit pranë zyrave tona”, thuhet në njoftim. Posta Shqiptare thekson se formularin e aplikimit mund ta plotësojë vetë pensionisti ose një anëtar i familjes së tij. “Pensionisti ose një anëtar i familjes së tij mund të paraqitet në zyrë postare, të plotësojë një formular aplikimi për përfitimin e këtij shërbimi dhe pensioni do të shpërndahet sipas grafikut të përcaktuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Posta Shqiptare dhe punonjësit e shërbimit janë në dispozicion të qytetarëve për të asistuar në përfitimin e këtij shërbimi. Gjithashtu, Posta Shqiptare, vazhdon fushatën e ndërgjegjësimit dhe komunikimit me qytetarët në terren”, thuhet në njoftim.
Shpërndarja gjatë karantinës
Po ashtu, Posta Shqiptare deklaroi në njoftimin e saj se të njëjtën taktikë të shpërndarjes së pensionit në shtëpi e kanë ndjekur edhe gjatë periudhës së karantinës, por edhe gjatë gjithë kohës së pandemisë, në mënyrë që të eliminojë radhët e gjata. Sipas shifrave, posta thekson se kanë qenë mbi 500 mijë pensionistë që u është shpërndarë pensioni në shtëpi. “Posta Shqiptare, në kuadër të parandalimit të radhëve të gjata apo ndonjë mundësie infektimi në këtë situatë të pazakontë, njofton se prej disa vitesh, ofron për të gjithë pensionistët shërbimin “Shpërndarja e pensionit në adresë”. “Shpërndarja e pensionit në adresë” është alternativa e duhur për të mbrojtur pensionistët në këtë situatë të pazakontë pandemie dhe radhëve të gjata në temperaturat e larta të gushtit. Shpërndarja e pensioneve në banesë për mbi 500 mijë pensionistë në të gjithë vendin, gjatë periudhës së karantinës, provoi se Posta Shqiptare i ka të gjitha kapacitetet shpërndarëse për të ofruar këtë shërbim me shpejtësi dhe siguri”, thuhet në njoftim. Kështu, duke rikujtuar protokollin e sigurisë të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, Posta Shqiptare bën me dije se personat që paraqiten pranë zyrave duhet të ruajnë distancimin fizik dhe duhet të jenë të pajisur me masa mbrojtëse. “Nisur nga situata e krijuar nga përhapja e Covid-19 në vend, Posta Shqiptare përsërit thirrjen drejtuar të gjithë pensionistëve dhe qytetarëve që marrin shërbime postare-financiare në zyra postare, të respektojnë protokollin e masave sipas udhëzimit të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, duke ruajtur distancimin fizik dhe duke mbajtur masat mbrojtëse. Ndonëse nga ana e punonjësve të zyrave të Postës Shqiptare bëhen të gjitha përpjekjet për ruajtjen e distancave dhe sigurisë gjatë ofrimit të shërbimit, është shumë i rëndësishëm edhe bashkëpunimi nga ana e qytetarëve”, thuhet në njoftim.