Mynyr Koni vijon luftën/ Rektori i UT del kundër Ministrisë së Arsimit: Zgjedhjet nuk mund të zhvillohen me 30 korrik

0
288

Thellohet përplasjet në universitet sa i takon zgjedhjeve, pasi rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni është duke vijuar luftën me anëtarët e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve, duke tentuar bllokimin e zgjedhjeve. Rektori Mynyr Koni ka hapur aplikimet për anëtarë të rinj të KIZ, pasi sipas tij anëtarët e vjetër të KIZ nuk janë të ligjshëm, ndërkohë që dje ka shtyrë aplikimet për anëtarët e rinj të KIZ.

Mesditën e sotme rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni është shprehur se zgjedhjet në Universitete nuk mund të zhvillohen më datë 30 korrik. Me anë të një deklarate për shtyp, ai i del kundër Ministrisë së Arsimit, Sportit e Rinisë.

Koni shton se për shkak të mungesës së aplikimeve nga personeli akademik i UT për anëtar të Komisionit Institucional të Zgjedhjeve KIZ, nuk mund të zhvillohen zgjedhjet.

DEKLARATA E PLOTE

Në vijim të komunikimeve dhe deklaratave në lidhje me procesin zgjedhor në Universitetin e Tiranës, sikurse ju kam bërë me dije, mbështetur në Urdhrin nr.175 datë 30.06.2020 të Ministrit të Arsimi, Sportit dhe Rinisë, në përmbushje të detyrimeve si autoriteti më i lartë drejtues i UT, në zbatim të nenit 5, pika 3 të Rregullores “Për organizimin e zgjedhjeve për autoritetet drejtuese dhe Senatin Akademik në Universitetin e Tiranës”, nxorra Urdhrin nr.6 datë 30.06.2020 “Për shpalljen e ditës së fillimit të procesit zgjedhor dhe datën e përcaktuar nga Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për zgjedhjen e autoriteteve drejtuese dhe Senatin Akademik të UT”.

Gjithashtu, shpalla edhe periudhën e aplikimeve apo të vetkandidimeve për anëtarë të Komisionit Institucional të Zgjedhjeve (KIZ) të UT dhe të Komisionit të Apelimit të UT, për formatimin dhe miratimin e tyre, si detyrë dhe përgjegjësi e Senatit Akademik të UT, të përcaktuar në nenin 6 dhe 37 të Rregullores së Zgjedhjeve të UT. Për shkak të mungesës së aplikimeve nga personeli akademik i UT për anëtar të KIZ, ky komision nuk arriti të miratohet nga Senati Akademik.

Në këto kushte, aktualisht, në Universitetin e Tiranës, nuk është miratuar Komisioni Institucional Zgjedhor (KIZ), sipas kërkesave të nenit 6 të Rregullores së Zgjedhjeve të UT, si e vetmja strukturë që ka përgjegjësi për administrimin e procesit zgjedhor në UT.

Kjo do të thotë që në datën 30 korrik 2020, në Universitetin e Tiranës, nuk mund të zhvillohen zgjedhjet për autoritetet drejtuese dhe për anëtarë të Senatit Akademik të UT, në kushtet e pamundësisë të Senatit Akademik për të miratuar KIZ, dhe të kaosit dhe konfuzionit të shkaktuar nga 5( pesë) ish-personeli akademik i UT.

Nga ana tjetër, 5(pesë) ish- personeli akademik i UT, të cilëve, sikurse jeni njoftuar dhe sqaruar edhe me komunikimet dhe deklaratat e mia të mëparshme, u janë ndërprerë marrëdhëniet e punës me UT që në datën 6 maj 2020, vazhdojnë të ndërmarrin veprime dhe të nxjerrin akte në funksion të procesit zgjedhor të UT. Këta ish-personel i UT, mbështeten hapur nga të gjithë drejtuesit aktualë të njësive kryesore (dekanët e fakulteteve) të UT, në veçanti nga z.Dh.Kule dhe z.A.Hoxha.

Të gjithë këta persona, kanë krijuar një konfuzion dhe një kaos total në institucion dhe në rradhët e personelit akademik të UT. Pikërisht ky kaos dhe ky konfuzion, ka prodhuar edhe këtë situatë paligjshmërie në procesin zgjedhor në UT.

Gjithashtu, me shkresën nr. 1986 datë 8 korrik 2020, i kam kërkuar Prokurorisë së Rrethit Gjyëqësor, Tiranë, për të hetuar pikërisht këtë situatë paligjëshmërie, me qëllim për të kthyer në ligjshmëri procesin zgjedhor në Universitetin e Tiranës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here