Nga vrasja e vëllait të inxhinierit Maks Uçi tek dinamiti në ambasadën Jugosllave/ Dëshmia e rrallë e ‘rebelit’ nga Fushë-Kruja

0
427

Publikohet historia e panjohur e inxhinierit Maks Uçi, i diplomuar jashtë për Gjeologji-Miniera, i cili në vitin 1972 filloi punë në guroren e Fabrikës së Çimentos në Fushë-Krujë, ku u bë problem për sjelljet dhe qëndrimet e tija që binin ndesh me “vijën e Partisë”. Memorie.al shkruan se për atë gjë u bë një mbledhje për “ta demaskuar” para kolektivit të punës, ku morrën pjesë edhe sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Krujës.

Dëshmia e rrallë e Sejfulla Tetës nga Fushë-Kruja, për “mbledhjen demaskuese” ku ai u kërcënua me arrestim nga Sekretari i Parë i rrethit, pasi mbrojti inxhinierin rebel, që ishte vazhdimisht në krah të punëtorëve, gjë e cila solli dënimin e tij, duke e transferuar në guroren e qytetit të Laçit, ku ai humbi jetën në rrethana misterioze natën e vitit të ri 1980, pikërisht atë ditë që kishte marrë transferimin për në Tiranë. Varrimi madhështor i Maks Uçit në Tiranë ku shkuan shtatë autobuza me punëtorë nga Fushë-Kruja dhe ku mori pjesë edhe kryeministri Mehmet Shehu, si dhe vizita e miqve të tij, në shtëpinë e profesor Alfred Uçit, ku në prezencën e të gjithë njerzëve që kishin shkuar aty për ngushëllim, siç ishte profesor Servet Pëllumbi, Sejfulla Teta i tha: “Vëllanë tënd ta ka vrarë Sigurimi”, si dhe reagimi i prof. Alfredit që u çua në këmbë dhe tepër i frikësuar, u tha miqëve të tij se: “ky është një dashamirës i familjes sonë dhe nuk i ka me të keq këto fjalë që tha…”.

Si vendosi Sejfulla Teta me shokun e tij, Pirro Priftin për të hedhur dinamitin në ambasadën jugosllave në Tiranë më 23 prill të vitit 1981 dhe si e kryen atë veprim pa u diktuar nga policia dhe Sigurimi i Shtetit?! Arrestimi më pas i Pirro Priftit dhe shokëve të tij nga Fush-Kruja, pas tentativës për t’u arratisur nga rrethi i Kukësit dhe i vetë Sejfullait, i cili u akuzua se: “së bashku me një grup intelektualësh me origjinë nga Kosova, si Shefqet, Estref dhe Selim Kelmendi, si dhe Namik Luci, kishin bërë planin për të vrarë me atentat, udhëheqësin kryesor të Partisë, Enver Hoxhën, gjatë vizitës që ai do bënte në Muzeun e Skënderbeut në Krujë”?!

“Pas arrestimit të Pirro Priftit, me të cilin në 23 prill të vitit 1981 kisha hedhur bombat në ambasadën jugosllave në Tiranë, unë përfundimisht vendosa që të arratisesha nga Shqipëria. Kështu në mëngjezin e 29 shtatorit të vitit 1982, teksa isha duke u përgatitur për t’u arratisur, aty në shtëpinë time më erdhi autovetura e drejtorit të Fabrikës së Çimentos dhe më njoftuan të shkoja me ta, “për të rregulluar një eskavator”. Unë parandjeva diçka dhe u thashë atyre që më kërkuan, që: të ecnin përpara se po dilja në këmbë pas tyre. Sapo dola aty tek rruga nacionale, ku ndodhet lapidari i Shote Galicës, tek këmbët e mija ndaluan dy makina. Një nga ata që dolën prej tyre, ishte dhe Sadik Smaja, shefi i krimeve të rrethit të Krujës, i cili m’u hodh menjëherë në qafë duke më thënë: ‘Ke kujtuar se jeta është aventurë’?! Pasi më vunë hekurat ata më futën në makinë dhe më nisën menjëherë për në Degën e Brendëshme të Krujës, ku zv/kryehetuesi Nexhat Selimi, më tha: ‘Të kemi arrestuar, pasi ti ke dashur që të vrasësh me atentat, udhëheqësin kryesorë të Partisë’. Unë u habita nga ato fjalë dhe në mënyrë instiktive e pyeta: ‘Kë, Enver Hoxhën’? Akoma pa mbaruar mirë fjalën, në kulmin e nervave, Nexhat Selimi më tha: ‘Mos ia përmënd emrin, more bajgë, more ndyrësirë”, dhe ngriti shkopin e gomës të më qëllonte. Unë nuk durova dhe i thashë:…” Kështu e kujtonte arrestimin e parë të tij, Sejfulla Teta nga Fushë-Kruja, i cili dëshmon eksluzivisht për Memorie.al duke rrëfyer për të gjithë peripecitë e jetës së tij. Po kush është Sejfulla Teta, cila është e kaluara e tij dhe kur i lindën për herë të parë pakënaqësitë ndaj regjimit kominist të Enver Hoxhës? Si u njoh Sejfullai me Maks Uçin, vëllain e profesor Alfred Uçit, inxhinierin që ishte diplomuar jashtë dhe përse Maksi i fliste atij kundër regjimit komunist? Përse Sekretari i Parë i rrethit të Krujës e kërcënoi Sejfullanë me arrestim në mbledhjen ku po demaskohej Maks Uçi dhe misteri i aksidenti që i mori jetën inxhinierit rebel në qytetin e Laçit, natën e vitit të ri 1980, pikërisht atë ditë që ai kishte marrë transferimin për në Tiranë?? Përse Sejfulla Teta akuzoi publikisht Sigurimin e Shtetit për vrasjen e Maks Uçit në shtëpinë e Alfred Uçit dhe si e mbrojti profesori i njohur mikun e ngushtë të vëllait, në përkujtimin e gjashtëmujort të vdekjes së tij? Cilat ishin arsyet që e shtynë Sejfulla Tetën për të vënë bombat në ambasadën jugosllave në Tiranë dhe kush ishte Pirro Prifti, bashkëpunëtori i tij në atë aksion? Si u arrestua Pirro Prifti gjatë tentativës për arratisje dhe si e çmëndi Sigurimi i Shtetit atë në qelitë e hetuesisë gjatë kohës që priste dënimin me vdekje? Kush ishin pesë intelektualët me origjinë nga Kosova që u akuzuan se donin të vrisnin me atentat Enver Hoxhën, gjatë vizitës që ai do bënte në Muzeun e Skënderbeut në Krujë? Çfarë i kërkonte Sejfullait, hetuesi Nexhat Selimi dhe kush ishte provokatori që ai i futi atij në qeli? Çfarë biseduan për shtatë orë në qelitë e Krujës, në një janarin e vitit 1983, ministri i Brendshëm, Hekuran Isai me Sejfulla Tetën dhe përse ai nuk e pranonte akuzën që i bëhej, në një kohë që “bashkëpunëtorët” e tij, me origjinë nga Kosova, e firmosën atë gjatë hetimeve?! Përse zgjati tetë ditë gjyqi që i dënoi me vdekje katër “atentatorët” e Enver Hoxhës dhe pse u filmua ai me kamera televizive? Si i’u fal jeta Sejfulla Tetës dhe tre pjestarëve të “grupit”, e makinacionet e Sigurimit të Shtetit për t’i përpalsur ata me njëri tjetrin në galeritë e minierës së Qafë-Barit? Cilat ishin arsyet dhe vdekja enigmatike në burgun e Burrelit, e Selim Kelmendit, njërit prej “atentatorëve” të Enver Hoxhës, pas letrës që i dërgoi ai Ramiz Alisë? Ku e vuajti Sejfulla Teta dënimin dhe përse ai u lirua me të fundit të burgosur politik në marsin e vitit 1991? Për të gjitha këto e plot ngjarje dhe fakte të tjera të jetës së tij, na njeh intervista ekskluzive e Sejfulla Tetës, të cilën po botojmë më poshtë duke filluar nga numri i sotëm.

Zoti Sejfulla, ku keni lindur dhe cila është origjina e familjes suaj?

Unë kam lindur në vitin 1949 në Fushë-Krujë, prej nga është dhe origjina e familjes sonë dhe ku vazhdoj të jetoj akoma në trojet e të parëve të mij. Babai im është quajtur Ahmet Teta, por mua mua më ka marrë dhe më ka rritur xhaxhai, Ali Teta, i cili ka qenë një nga burrat më të njohur në zonën e Fushë-Krujës. Aliu ka qenë një nga miqtë më të ngushtë të Abaz Kupit dhe roje personale i tij gjatë kohës së Luftës.

Po pas mbarimit të Luftës ku kanë punuar njerzit e familjes tuaj?

Pas mbarimit të Luftës, babai im, axha dhe të gjithë të tjerët kanë punuar në kooperativë. Vetëm njëri nga xhajat e mi, Ramazani, ka punuar në ndërtime deri sa u gjet i vrarë në shtëpinë e tij më 31 dhjetor të vitit 1952. Vrasja e tij mbeti enigëm për shumë vjet. Por faktikisht atë e vrau shteti në mënyrë që ta kishte familjen tonë nën thundër e të nënshtruar.

Kur e mësuat të vërtetën e vrasjes së xhaxhait tuaj?

Të vërtetën e vrasjes së xhajit, Ramazanit, nga Sigurimi i Shtetit, unë e mësova rastësisht në vitin 1966, kur një nga personat që kishte marrë pjesë në vrasjen e tij, kishte pohuar atë në pije e sipër.

Pasi e mësuat atë gjë, çfarë bëtë?

Në vitin 1981, kur punoja si eskavatorist në guroren e Krujës, mora dinamit dhe në ora 12 të natës shkova në qytetin e Mamurrasit tek shtëpia e atij që kishte thënë se kishte marrë pjesë në vrasjen e xhajit tim, me mbiemër…. Nga plasja e dinamitit, pati vetëm dëme materiale dhe u thyen shumë xhama të atij qyteti. Në fakt unë nuk desha që të vrisja njeri, por vetëm për t’i treguar atij personi se ne ishim gjallë.

A u diktuat për vënien e dinamitit?

Jo për shumë vjet, mua nuk më diktoi njeri.

Kur keni filluar punë për herë të parë dhe ku keni punuar?

Unë kam filluar punë që në vitin 1966, kur nuk isha më shumë se 17 vjeç. Në fillim kam punuar si montator, mekanik dhe më pas për shumë vjet si eskavatorist.

Pakënaqsitë e para kundër regjimit komunist të asaj kohe që kur u patën lindur?

Që pas vrasjes së xhajit tim në 1966, unë nuk e kam dashur më atë regjim. Pakënaqësitë filluan të më shtohen akoma dhe më shumë kur fillova të punoja me të burgosuroit politikë në Fabrikën e Çimentos. Aty kam njohur Bedri Spahiun, e shumë prej tyre për të cilët ndjeja një keqardhje për mënyrën se si i trajtonin.

Po në vitet e mëpasme a bisedonit me njeri kundër regjimit në fuqi?

Një nga njerzit që më ka folur për herë të parë kundër regjimit, ka qenë Maks Uçi, vëllai i profesor Alfred Uçit, të cilin e kam njohur për herë të parë në vitin 1972, kur atë e sollën si inxhinier gjeolog në guroren e Krujës ku punoja unë. Maksi ishte diplomuar jashtë shtetit dhe ai kishte kulturë perendimore. Maksi i donte shumë punëtorët dhe ai nuk i duronte dot padrejtësitë që u bëheshin atyre nga administrata. Maksi na thoshte shpesh se: ‘rendimenti në punë arrihej nga teknologjia e përparuar dhe jo nga puna e krahut’. Në të gjitha konfliktet që kishte në mes puntorëve dhe administratës, Maksi mbante anën e punëtorëve, prandaj drejtoria filloi ta kishte halë në sy. Gjatë një mbledhje në gurore, Maksi tha se: ‘punëtorët paguheshin shumë pak, prandaj nuk mund t’u kërkohej shumë punë’. Nga ky qëndrim i tij, drejtoria organizoi një mbledhje për ta demaskuar, ku merrnin pjesë rreth 400 punëtorë. Aty në mbledhje Maksi bëri një debat me Ymer Limanajn, (sekretarin e dytë të Komitetit të Partisë së rrethit të Krujës), që kishte ardhur si i deleguar. Unë isha në rradhë të parë dhe më thanë të çohesha e të flisja se si e njihja inxhiner Maksin, me një fjalë t’i bënim biografinë atij.

A u ngritët dhe folët ju?

Unë u ngrita dhe thashë: ‘Çfarë biografie t’i bëj unë këtij, kur ky është nipi i Petro Nini Luarasit, pra nipi i ABC-së. Ky ka bërë shkollën jashtë dhe biografinë i’a ka bërë Partia’. Pasi fola kështu, vazhdova më tej duke thënë se: Maksi mbronte punëtorët dhe luftonte dallaverexhijtë’. Në këtë kohë, sekretari i dytë më pyeti se kush ishin dallaverexhijtë, dhe unë i thashë se ‘ata ishin sekretarët e partisë, që nuk të linin të punoje, duke të përmëndur partinë orë e çast’. Pas kësaj, sekretari i parë i rrethit që erdhi aty, më kërcënoi duke thënë: “Këtu ka vënd për arrestime”.

Si u mbyll ajo mbledhje?

Mua deshën të më arrestonin, ndërsa Maksin e transferuan për në guroren e Laçit. Pasi punoi për gjashtë muaj në Laç, Maksit i erdhi transferimi për të shkuar si specialist në Ministri. Natën e vitit të ri 1980, pasi kishte bërë dorzimet, ai kishte marrë rrogën dhe ishte ulur me dy shokë për të pirë ndonjë gotë e për t’i qerasur me rastin e largimit. Por ai nuk mundi të kthehej në Tiranë, pasi u gjet i vdekur në rrugën nacionale, (tek peshorja e kromit) në të dalë të qytetit të Laçit. Sipas policisë, atë e kishte përplasur një makinë e Kukësit, e cila ishte larguar pa i dhënë ndihmë dhe trupi i tij u la për disa orë në shi, aty në mes të rrugës. Sapo u dha lajmi i vdekjes së tij, vëllai im, Rizai, shkoi i pari dhe e mori trupin e tij. Maksit i’u bë një varrim madhështor në Tiranë, ku mori pjesë edhe kryeministri Mehmet Shehu. Vetëm nga Kruja, shkuan shtatë autobuzë me punëtorë në varrimin e tij.

Përveç versionit të policisë, si u përfol atëhere vdekja e Maks Uçit?

Kudo në popull atëhere thuhej se Maksin e vrau Sigurimi dhe për të hequr dyshimet, i bënë një varrim të madh. Me rastin e gjashtë mujorit të vdekjes së Maksit, unë së bashku me Selim Alikon, që ishte teknik gjeolog, shkuam për të pirë një kafe tek shtëpia e të vëllait, profesor Alfred Uçit, (prapa godinës së Shkencave të Natyrës), ku mes shumë njerëzve me kujtohet që ishte dhe Servet Pëllumbi. Në një moment që ishte qetësi, unë i thashë Alfredit: ‘More, po si u bë puna e Maksit se ngeli enigëm. Çfarë di ti’?! Alfredi më tha: “Më shumë dini ju që keni punuar me të, sesa unë që e kam vëlla”. Unë i’a ktheva: “Deri sa kjo punë mbeti enigëm, atë e ka vra Sigurimi”. Pas kësaj, Alfredi u çua menjeherë në këmbë dhe i’u drejtua atyre që ishin në shtëpi, duke u thënë: “Ky është një dashamirës i yni dhe nuk i ka me të keq këto fjalë që tha”. Alfredi donte të më mbronte, pasi shumica e atyre njerëzve që kishin ardhur aty, ishin të Sigurimit. Ato fjalë që thashë, aty m’i përmëndën edhe kur më arrestuan në vitin 1982.

Para se të vimë tek arrestimi juaj, pas vdekjes së Maks Uçit, a bisedonit me tjetër njeri kundër regjimit komunist?

Urrejtja ime ndaj regjimit komunist në fuqi filloi të shtohej dhe ajo arriti kulmin aty nga viti 1981, kur ekonomia e familjes sonë po rrënohej plotësisht. Kështu unë nuk nguroja të flisja dhe të shprehja pakënaqësitë e mia në një rreth të ngushtë, ku mes të cilëve ishte dhe një djalë i ri, rreth 23 vjeç, i quajtur Pirro Prifti, me origjinë nga Piqerasi, që punonte si punëtor në Ndërmarrjen e Ujrave. I ati i tij, ishte mekanik dhe punonte me mua, ndërsa Pirro, vinte tek unë, pasi kishte dëshirë që të merrte ndonjë zanat, por atë nuk e lejonin dhe e linin punëtor lopate. Pirro nuk e kishte biografinë e keqe, pasi nëna e tij kishte qenë partizane, por ai vetë kishte fituar një urrejtje të madhe ndaj regjimit. Kështu, bashkë me Pirron dhe disa shokë të tjerë, unë flisja vazhdimisht kundër regjimit. Në atë grup shokësh, gjatë një bisede aty në gurore, ne vendosëm që të merrnim dinamit dhe ta hidhnim në ambasadat e huaja që ishin në Tiranë.

Po për çfarë arsye vendosët të hidhnit dinamit nëpër ambasada?

Gjatë bisedave tona aty në gurore, dikush tha se edhe ambasadat e huaja që ishin në Tiranë kishin faj për gjëndjen e keqe ku ndodhej Shqipëria, pasi ato nuk e ngrinin zërin në shtetet e tyre kudo në botë, për të treguar se si jetonin shqiptarët dhe se si shtypeshin ata. Kjo ishte arsyeja që ne vendosëm të hidhnim bombat. Por ne nuk donim të vrisnim njeri me ato bomba që do hidhnim, pasi qëllimi ynë ishte vetëm për të bërë zhurmë. Për atë gjë, më i gatëshmi nga të gjithë u tregua Pirro, prandaj dhe unë vendosa që bombat t’i hidhja me të.

Si e bëtë planin e hedhjes së bombave dhe si e realizuat atë?

Në fillim ne vendosëm të mbushnim një furgon me dinamit dhe ta afronim atë para kryeministrisë në Tiranë, por kjo gjë mbeti vetëm në kuadrin e fjalëve. Më pas unë bisedova vetëm me Pirron dhe thamë ta fillonim nga ambasadat. Kështu pasi bëmë planin, morëm nga dy gjysma llokumi dhe aty nga data 22 apo 23 prill e vitit 1980, shkuam në Tiranë me autobuzat e linjës së Fushë-Krujës. Atë ditë në Tiranë kishte një ndeshje futbolli të përfaqësues sonë me një ekip të huaj, (Gjermaninë më duket) dhe binte shi. Unë me Pirron pasi zbritëm nga autobuzi i Fushë-Krujës tek Zogu i Zi aty rreth orës 20.00, në këmbë ecëm përgjatë Rrugës së Durrësit, e dolëm deri afër qëndrës me mendimin për t’i hedhur bombat që kishim me vete, tek ambasada e Kubës.

Po pse nuk i hodhët aty?

Nuk i hodhëm aty, pasi na u duk vëndi i hapur dhe papërshtashëm, e kishim frikë se mos na kapnin. Kështu vendosëm të ktheheshim tek ambasada jugosllave dhe aty brenda pamë se kishte lëvizje e zhurmë të madhe. Kur u afruam aty, Pirro më tha që: pasi t’i hidhnim llokumet e dinamitit brenda ambasadës, të futeshim e të ngjisnim shkallët tek pallati ngjitur me murin e ambasadës, ku ai njihte një vajzë. Dhe po të na pyeste njeri, ne do të thonim se po shkonim për të kërkuar atë që të fejohej me Pirron. Kështu ne, sa u futëm në hyrje të pallatit, hodhëm llokumet e dinamitit të cilat bënë një zhurmë të shumë të madhe. Pas kësaj, Pirro ngjiti shkallët e pallatit për t’u futur tek shtëpia e vajzës, kurse unë u largova me shpejtësi nga Rruga e Durrësit për në drejtim të Zogut të Zi.

Pasi hodhët dinamitin tek ambasada jugosllave dhe u larguat për në drejtim të Zogut të Zi, gjatë rrugës, a patët rrezik të diktoheshit nga policia?

Jo nuk pata asnjë rrezik të diktohesha, pasi unë u largova me vrap dhe nuk më pa njeri. Në ato momente aty në Rrugën e Durrësit, nuk kishte shumë njerëz, pasi siç thashë binte një shi imët dhe rruga pothuaj ishte e zbrazur. Po kështu deri sa mbërrita tek Zogu i Zi, unë nuk pashë asnjë këmbë polici.

Po shoku juaj Pirro Prifti, nuk ju ndoqi pas?

Jo ai nuk erdhi pas meje, por u fut tek një pallat fare pranë ambasadës, ku ne ndezëm dinamitin para se ta hidhnim dhe siç thashë aty ai njihte një vajzë. Në atë kohë Pirro kishte shumë lidhje të tilla, pasi ishte djalë tepër i pashëm.

Pasi shkuat tek Zogu i Zi, për ku u larguat më pas?

Kur shkova tek Zogu i Zi, qëndrova tek stacioni ku ndalonte autobuzi i linjës së Fushë-Krujës dhe me atë autobus udhëtova deri në shtëpinë time në Fushë-Krujë”.

Nisur nga ngjarja që kishte ndodhur në Tiranë, gjatë rrugës, a pati kontrolle nga policia?

Jo nuk na ndaloi asnjë kontroll policie, pasi ndoshta nuk ishin bërë akoma njoftimet e policisë, por siç mora vesh disa ditë më vonë, pas autobuzit me të cilin kisha udhëtuar unë, kishin filluar kontrollet e shpeshta të policisë nëpër rrugë.

Kur shkuat në shtëpi, a biseduat me njeri për atë që kishit bërë në Tiranë?

Kur mbërrita në shtëpi, Radio-Televizioni Shqiptar, po jepte lajmin e vënies së bombës në ambasadën jugosllave. Unë i thashë axhës tim, Ali Tetës: “Si thu or axhë, kush do ta ket vu dinamitin atje ke jugosllavt”?! Axha m’i nguli sytë dhe më tha: “Na nji që e urren qeverinë, se këta jan ba shumë të mërzitshëm dhe nuk po na lejnë të jetojmë si robt”. Për të humbur dyshimet tek axha, unë nuk ja zgjata më, por i ktheva kurrizin duke mos e parë në sy dhe shkova për të fjetur në dhomën time, pasi në atë kohë isha i martuar dhe me fëmijë. Kështu atë natë unë fjeta i qetë pa u trazuar fare.

Kur u takuat me shokun tuaj, Pirro Priftin dhe çfarë biseduat?

Me Pirron unë u takova pas nja dy ditësh aty në guroren e Krujës dhe ai më tha: “Sef, shokët që kemi folur, po na rrinë shumë larg, prandaj duhet t’i japim drejtim e të ikim jashtë, se do të na arrestojnë. Pse të kapemi ne për këta legena”?! Pirro ishte shumë i shqetësuar për atë që kishim bërë dhe më kërkonte me çdo kusht që të arratiseshim.

Po ju, si e pritët sugjerimin e Pirros për t’u arratisur?

Unë i thashë Pirros ta mendonim atë punë dhe duke parë e duke bërë. Por me thënë të drejtën, nuk kisha dëshirë të arratisesha pasi isha i martuar dhe me fëmijë, e i dija se ç’i priste ata pas arratisjes sime.

Si veproi Pirro më pas, a bëri tentativë të arratisej nga Shqipëria?

Pirro e kishte ndarë mëndjen dhe ai bisedoi me disa shokë të tjerë për t’u arratisur, të cilët u treguan krejt të gatshëm. Kështu ato ditë ai gjeti një djalë nga Kukësi, i cili i mori përsipër që t’i shoqëronte deri afër kufirit. Pas kësaj së bashku me një 6-7 shokë të tij nga Fushë-Kruja, si Lut Kelmendin, Kujtim Dokun, Fatmir Dacin etj., u nisën me një makinë në drejtim të Kukësit. Kur mbërritën atje, në mes të qytetit ata i kishte parë një djalë nga Fushë-Kruja, i cili punonte si oficer i Sigurimit në Kukës, me detyrë Punëtor Operativ. Sa i kishte parë ata, ai u kishte thënë: “Ou, paska zbarkuar gjithë Fushë-Kruja këtu në Kukës”. Pas atyre fjalëve, ata ishin trembur se mos ai do i kallzonte në polici dhe pasi kishin fshehur në një lulishte, pushkën që kishin me vete, ishin kthyer mbrapsht duke ardhur në Fushë-Krujë. Të gjitha këto, ata m’i treguan një ditë pasi erdhën në Fushë-Krujë dhe unë u thashë: “Qenkeni treguar shumë budallenj, që nuk keni ikur dhe jeni kthyer mbrapsht. Po pse ju paskeni pritur që të merrni leje në Degë të Brendshme për t’u arratisur”?! Pas dy muajve, ata i arrestuan të gjithë bashkë me Pirron. Gjatë hetuesisë, ata i kishin trajtuar shumë keq, duke i torturuar dhe futur në elektro-shok. Pas kësaj ata ishin detyruar që t’i tregonin të gjitha çfarë kishin bërë.

Po pas arrestimit të këtyre, ju nuk kishit frikë se do të tregonin edhe për ju?

Unë nuk kisha asnjë dyshim se ata mund të më nxirrin edhe mua, por kisha bërë ndërmënd të thoja se nuk dija gjë për ta. Pra me këtë mendim unë vendosa që të mos arratisesha nga Shqipëria. Por desha të shtoj se: pas arrestimit të Pirro Priftit dhe shokëve të tij, Sigurimi i Shtetit arrestoi edhe një grup tjetër prej katër vetësh, duke i akuzuar ata si “agjentë të UDB-së jugosllave, që kishin dashur t’i bënin atentat udhëheqësit më të lartë të Partisë, Enver Hoxhës”. Të katër ata ishin intelektualë dhe me origjinë nga Kosova, si: Selim Kelmendit, Estref Kelmendit dhe Shefqet Kelmendit ishin me profesion mësues dhe kushërinj me njëri-tjetrin, ndërsa Namik Luca, ishte inxhinier kimist, banonte në qytetin e Laçit dhe punonte në Uzinën e Superfosfatit. Në atë kohë pas arrestimit të tyre, u përfolën shumë gjëra, duke thënë se ata ishin grupi më i rrezikshëm që ishte zbuluar ndonjëherë nga Sigurimi i Shtetit, pas atij të Mehmet Shehut. E përmënda këtë grup, pasi kur më arrestuan në 23 shtator të vitit 1982, hetuesia më akuzoi e konsideroi edhe mua si një nga pjestarët kryesorë të atij grupi./Memorie.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here