Teatri Metropol sjell dramën e ndaluar “Armiqtë”, me ngjarje të vitit 1943

0
47

Vepra teatrore “Armiqtë” e autorit Shpëtim Gina ishte zgjedhja e Teatrit të Metropolit për programin artistik. Nxjerrë nga arkivat prej Sonila Kapidanit, me regji nga Xhuliano Brisku, në vepër interpretojnë aktorët Gëzim Rudi, Donald Shehu, Armend Zeqiri, Xhino Musollari, Erion Hodo, Rozi Kostani dhe Rexhina Mullaymeri. Kjo vepër ishte zgjedhja e teatrit në vijim të sezonit artistik online, që ndiqet në profilin e Metropol në Facebook. Për këtë dramë teatri shprehet se përcjell emocione të forta për publikun, që këtë herë pati mundësi ta ndiqte nga shtëpia. “Gjenialiteti i veprës së tij, freskia e gjuhës, forca e fjalës e koncentruar në dramë dhe kujtimet për autorin, sjellin emocione të forta për publikun”, pohon teatri për këtë vepër shkruar nga autori Shpëtim Gina. Një autor i ri, por shumë i veçantë e kërkues është quajtur Shpëtim Gina nga shumë njerëz, që e kanë njohur ose punuar me të, që fatkeqësisht u nda nga jeta para kohe. Vepra “Armiqtë” e nisur për t’u vënë në skenë në vitet ’70-të u shfaq për herë të parë në teatrin e Metropolit në festivalin “Metrofest”. Një kërkim i ri, mbi një hapësirë të thjeshtë, të gjetur mirë, në një rrethanë të vështirë, nga ato më të vështirat e jetëve njerëzore, lufta. Thuhet se këtë vepër autori ia kishte kushtuar së ëmës, që ishte ndarë nga jeta më 1972. Ngjarjet e dramës zhvillohen në Itali, viti 1943. Një fshat i humbur në një krahine të largët. Shtëpia e plakës Terrinë. Në anën tjetër të kënetës, një kamp përqendrimi nga vijnë krisma, thirrje, lehje qensh. Është arratisur dikush. Një shqiptar e një italian. Si perceptohet një luftë nga njerëz të ndryshëm me kultura dhe jetë të ndryshme? Si dhe kush është armiku kur bëhet fjalë për mbijetesë? Personazhet jetojnë në presion dhe ky presion i çon të kërkojnë shtigje prej nga mund të kuptojnë gjithë çka ndodh e sit ë dalin prej saj. Çdo gjë që i përplas ata në atë bodrum, në atë arratisje, është dëshira për liri e cila njëkohësisht krijon ankth.

Festivali i dramës shqipe

“Armiqtë”, drama e ndaluar e Shpëtim Ginës u vu për herë të parë në skenë gjatë festivalit “MetroFest”, në teatrin e Metropolit. “MetroFest” erdhi si një festival, që u organizua për herë të parë në teatrin e Metropolit me temë drama shqipe. Festivali në netët e tij, përfshiu shfaqje të vëna në skenë, shfaqje të reja nga arkivi i dramës shqipe që nuk janë vënë asnjëherë në skenë dhe lexime veprash e diskutime, të cilat u ndanë sipas ditëve në tema si komedia, drama dhe diktatura. Më herët sipas institucionit teatror, ky festival ishte menduar të nxisë punën e re dhe kërkimin artistik të fuqive krijuese, që duan të mbështesin gjallimin e veprave shqiptare dhe takimin e tyre me publikun e gjerë në një frymëmarrje të përbashkët. Teatri i Metropolit bënte me dije se vazhdon të mbështesë objektivin: më shumë qasje në kulturë nga më shumë njerëz, nga të gjithë qytetarët, edhe ata që janë të përjashtuar ose ndihen të përjashtuar nga arsyet e aftësisë financiare, prejardhjes sociale ose prejardhjes kulturore. Veprat që erdhën në skenë në edicionin e parë të festivalit ishin “Loja e mbasdrekës” nga Martin Camaj me regji nga Shkëlzen Berisha; “I biri i Begut” nga Milo Duçi me regji nga Joana Omeraj; “Armiqtë” nga Shpëtim Gina me regji nga Xhuliano Brisku. Ndërsa paraditeve gjatë kohës së festivalit ishin lexime nga “Foleja Kombëtare” nga Mithat Frashëri dhe “Prangat” nga Halil Laze, si dhe një Forum Teatër nga Sonila Kapidani me fragmente nga verpa “Njollat e Murrme” nga Minush Jero.

Leave a Reply