14 deputetë të opozitës bashkuan votat me PS për Kodin Penal, nisin akuzat për pazare

0
496

Ndonëse ndryshimet në Kodin Penal u miratuan me ndihmën e deputetëve të opozitës, ka nga ata që vijojnë të mbajnë qëndrime kundër këtij miratimi. Deputeti Andi Përmeti u shpreh se ndryshimet në Kodin Penal janë në shkelje të Kushtetutës dhe të të drejtave të njeriut. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Përmeti theksoi se reagimi i ashpër i disa deputetëve opozitarë dhe shoqërive civile solli reflektimin e qeverisë për uljen e dënimit maksimal nga 10 në 5 vite burg dhe nga 15 në 8 vite heqje lirie. Deputeti shtoi se nëse të gjithë bëhen bashkë për të ngritur zërin mund ta ndalojnë një kryeministër që sipas tij ka tendenca të forta autoritare. “Një lajm i mirë dhe një lajm i keq për shqiptarët sot nga Kuvendi i Shqipërisë. Lajmi i mirë është që kur bën beteja, ngre zërin dhe përplasesh për të drejtën nuk del asnjëherë i humbur. Zëri i ngritur nga disa deputetë, shoqëria civile, organizata ndërkombëtare detyroi Ramën të ulë dënimet nga 10 vite në 5 vite maksimumi për personat jo mbartës që shkelin masat e marra nga qeveria dhe nga 15 vite në 8 vite maksimumi për rastet kur vërtetohet ardhja e pasojës. Fitore? Absolutisht jo. Nuk ka fitore kur shkelet Kushtetuta dhe të drejtat e njeriut, por një rast që vërteton më së miri që asnjëherë, askush nuk duhet të lejë të vetëm një kryeministër me tendenca të forta autoritare. Çdo përballje vlen dhe ka pasoja pozitive për qytetarët”, tha Përmeti.

Por deputeti pati një reagim shumë të ashpër ndaj kolegëve të tij, duke u shprehur i revoltuar se ata u rreshtuan krah mazhorancës për ndryshimet në Kodin Penal. Përmeti bëri sërish thirrje qytetarëve që të ngrenë zërin për të drejtat e tyre, me shpresën se do të dëgjohen. “Lajmi i keq është që Rama i ka votat për të kryer çdo çmenduri që i vjen ndërmend. 88 deputetë votuan pro. 14 vota opozite i shkuan Ramës për një çmenduri në shkelje kushtetuese duke i treguar shqiptarëve që nesër ata janë të gatshëm të votojnë jo 5 dhe 8 vite burg, jo vetëm 10 e 15 vite burg por edhe internim për agjitacion e propagande nëqoftëse vota e tyre do shpërblehej nga një shikim falënderues i Ramës dhe jo vetëm. Përfundimi: Shprese ka. Të bashkohemi, të ngremë zërin për çdo shkelje dhe çdo të drejtë që na takon derisa të largojmë çdokënd që pa pikën e turpit ngre kartonin e paguar nga djersa e shqiptarëve për ti shkelur, hequr dhe dhunuar shqiptarëve të drejtat që ja jep Kushtetuta”, tha deputeti Andi Përmeti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here