Gati masat ndaj koncesioneve të Berishës që po rrjepin shqiptarët, Rama paralajmëron pezullimin e skanimit në dogana

0
269

Qeveria po mendon të ndërhyjë edhe te koncesionet e ish-qeverisë “Berisha”, në mënyrë që të sigurohen fonde për të përballuar situatën e shkaktuar nga Covid-19. Gazeta Sot publikoi pak ditë më parë një lajm ku ngrinte po të njëjtin shqetësim, pasi janë disa koncesione shumë problematike dhe që nuk po japin rezultat. Deri më tani janë 5 koncesione të cilat janë pezulluar derisa të qetësohet situata dhe paratë që do të shkonin për privatin, po shpërndahen sipas sektorëve. Më konkretisht, është pezulluar koncesioni i Check-Up, i cili nuk funksionon për shkak të karantinës. Po ashtu është pezulluar koncesioni i laboratorëve, i cili do të jepej këtë vi. Gjithashtu është pezulluar koncesioni i mbetjeve, bashkë me dy koncesionet e rrugëve Milot-Balldre dhe Orikum-Dukat. Por duke replikuar me një qytetarë në rrjetet sociale, shefi i qeverisë ka deklaruar se po mendon pezullimin e koncesionit të skanimit në dogana. “Taksirati i atyre tarifave që janë vënë me kohë e me vakt në kurrizin tënd dhe që po shohim si t’i pezullojmë në këtë kohë lufte të paktën”, shprehet Rama.

Pezullimi i këtij koncesioni do të ishte një veprim mjaft i drejtë, pasi kufijtë janë mbyllur dhe avionët, anije, apo kamionët janë shumë të paktë. Kontrata e këtij koncesioni është peshqesh nga ish-kryeministri Berisha, i cili e firmosi dy muaj para zgjedhjeve të 2013. Ky shërbim është dhënë me koncesion shoqërisë “Rapiscan security” në vitin 2013, ku me shpejtësi u miratua ligji nr 123/2013 ” për miratimin e kontratës nëpërmjet Ministrisë së Financave si autoritet kontraktues dhe shoqërisë ‘Rapiscan Security’ si koncesionar për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve dhe automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”. Kontrata për këtë koncesion u dha për 15 vjet dhe në të gjithë vendin u instaluan 5 skanerë në pikat kryesore doganore në Durrës, Morinë, Qafë Thanë, Kakavijë dhe Kapshticë kundrejt tarifës prej 39 euro për çdo skanim. Ky koncesion ka qenë gjithmonë i mbushur me problematika, por edhe në këtë situatë emergjente nuk preket.

Por përveç tij, kemi dhe dy koncesione të tjera që rrjepin shqiptarët. Njëri është ai i markimit të karburanteve. Edhe ky koncesion është dhuratë e qeverisë “Berisha”. Po në vitin 2013, markimi i karburanteve ju dha kompanisë “GFI”, me afat 10 vjeçar për vlerën e 150 milionë euro. Për shkak të këtij koncesioni sot shqiptarët paguajnë plot 7 taksa për karburantin. Sipas kontratës, kjo kompani fiton 7 euro/ ton karburante. Ndërkohë sipas shoqatës së hidrokarbureve, kjo kompani ka zero perfomancë. Një tjetër koncesion problematik është ai për pullat fiskale. Edhe ky koncesion u firmos nga ish-ministri i Financave Ritvan Bode. Koncesioni mes Ministrisë së Financave dhe shoqërisë krejtësisht anonime SICPA Holding SA, filloi punën në vitin 2011 dhe rezultoi një barrë e rëndë për buxhetin e shtetit dhe xhepat e qytetarëve dhe pa vlerë në luftën kundër kontrabandës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here