Hapja e negociatave fundos 100 gjyqtarë dhe prokurorë, brenda vitit nis hetimi për të ngelurit në veting, gati sekuestrimi i pasurisë

0
403

Bashkimi Europian ka dhënë ditën e sotme dritën jeshile për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Me këtë vendim që u mor sot, po trazohet qetësia e të gjithë të korruptuarve në vend, duke përfshirë këtu jo vetëm politikanët, por edhe gjyqtarët dhe prokurorët të cilët kanë ngelur në veting. Pas dritës jeshile, Bashkimi Europian ka vendosur plotësimin e disa kushteve. Gjatë vlerësimit kalimtar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit janë rreth 100 gjyqtarë dhe prokurorë që kanë ngelur jashtë sistemit të drejtësisë. Në raportin e BE, theksohet se ashtu si Bundestagu gjerman, edhe BE kërkon ndjekje penale për njerëzit e drejtësisë që kanë ngelur në veting. “Korniza e bisedimeve do të miratohet nga Këshilli dhe duhet të reflektojë se Shqipëria ka adresuar me sukses pesë prioritetet kryesore, siç është: Fillimi i hetimeve kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të ngelur në veting; Fillimin i hetimeve kundër atyre që akuzohen për blerje votash; Kërkohet një rekord i kënaqshëm në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë hetimet e para kundër zyrtarëve nivelit të lartë publik dhe politikanëve”, thuhet në raport. Ky kusht i vendosur nga BE kërkon zbatim të plotë dhe të menjëhershëm nga vendi jonë. Duke iu referuar skemës së re që është hartuar për hapjen e negociatave, BE mund t’i bllokoj sërish nëse nuk plotësohen kushtet e vendosura prej tyre. Kjo do të thotë se gjatë gjithë vitit 2020 Shqipëria do të monitorohet për të parë nëse po ecën me hapat e duhur për plotësimin e kushteve dhe kritereve që janë vendosur.

Sekuestrimi i pasurisë

Pjesa më e madhe e gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë ngelur jashtë sistemit të drejtësisë sepse nuk justifikonin pasurinë. Me ndryshimet e reja ligjore në ligjin antimafia, bëhet e qartë se hetimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve do të shtrihet deri te pasuria, për të vërtetuar nëse janë vënë në mënyrë të ligjshme apo jo. Kjo do të thotë se shumë gjyqtarë e prokurorë rrezikojnë që përveç shkarkimit, edhe të hetohen dhe arrestohen nga SPAK për pasuritë prej që kanë vënë. Gjithashtu në rrezik është edhe pasuria e tyre, që pritet të sekuestrohet nëse është e paligjshme. Por kush janë disa prej të shkarkuarve? Nga këta mund të veçojmë ish-kreun e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, ish-kreun e Kushtetueses, Bashkim Dedja, ish-anëtarët e Gjykatës së Lartë, Artan Broci, Edmond Islamaj, Artan Zeneli apo edhe ish-anëtarët e Kushtetueses, Fatos Lulo, Gani Dizdari apo edhe Rovena Gashi. Këta dhe shumë të tjerë kanë ikur për shkak të pasurisë dhe rrezikojnë që të hetohen.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here