KLSH zbulon shkelje të shumta në bashkitë e Dropullit, Kukësit dhe Matit, batërdi me tenderat, kërkohet ndërhyrje nga prokuroria

0
380

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë auditimin e radhës ku ka zbardhur shkelje të shumta me tendera në bashkitë Dropull, Kukës dhe Mat. Pas hetimeve në terren dhe daljes në konkluzione se ka disa shkelje nga ana e këtyre bashkive me tenderat, KLSH ka kërkuar ndërhyrjen e prokurorisë. Me anë të një njoftimi për shtyp, KLSH ka bërë me dije se gjatë auditimit që ka kryer Kontrolli i Lartë i Shtetit për të treja bashkitë, janë konstatuar shkelje si dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e prokurimit publik, veprime me efekte negative në administrimin dhe menaxhimin me ekonomicitet të fondeve publike për vlerën prej 271, 798, 000 lekë. Këto dëme ekonomike janë shkaktuar si diferencë e ofertës më të ulët të skualifikuar dhe ofertës ekonomike të shpallur fituese dhe abuzimeve të tjera. Sakaq ashtu sikurse u theksua më sipër, KLSH ka kërkuar ndërhyrjen e Prokurorisë, përkatësisht në Bashkinë Dropull, Kukës dhe Mat, të cilat janë dërguar për vlerësim në organin e Prokurorisë, për sa i përket zhvillimit të procedurës së prokurimit.

Shkeljet e konstatuara në tri bashkitë

Në njoftimin e KLSH bëhet me dije se në zhvillimin e procedurës së prokurimit në Bashkinë Dropull, është konstatuar se njësia e prokurimit, me shtyrjen e afatit kohor 1 ditor, ka qenë jashtë përcaktimeve të afateve kohore procedurale për paraqitjen dhe ngarkimin në SEP të ofertave dhe dokumenteve të kërkuara nga DST. “Në procedurën e prokurimit të realizuar, me objekt: “Ndërtim i rrjetit rrugor “Unaza e Pogonit”, Faza e Parë”, viti 2017, me vlerë të prokuruar prej 116, 666, 666 lekë pa tvsh, procedurë për të cilën është shpallur fitues BOE me ofertën më të disfavorshme ekonomike, për vlerën prej 114, 343, 197 lekë, ose më pak se fondi limit në shumën prej 2, 323, 469 lekë, procedurë e pezulluar më parë nga Komisioni i Prokurimit Publik”, thuhet në njoftim. Më tej KLSH përcjell se në Bashkinë e Pukës në procedurën e prokurimit të realizuar, me objekt: “Rruga auto Lumzi, Njësia Administrative Lumzi”, me fond limit 34, 594, 481 lekë, KVO ka vepruar me dy standarde në vlerësimin e ofertave, pasi të 9 Operatorët Ekonomikë apo BOE pjesëmarrës në garë, kanë mungesë e mangësi në plotësimin e “Kritereve të Veçanta të Kualifikimit”, për rrjedhojë tenderi duhej anuluar. “Mos anulimi i procedurës dhe shpallja fitues e BOE, i cili nuk i plotëson kriteret e DST, ka sjellë për pasojë shkelje të barazisë në tendera duke shkaktuar përdorim të fondeve publike pa ekonomicitet, eficencë dhe efektivitet, në vlerën e kontraktuar prej 33, 503, 495 lekë”, thuhet në njoftim. Më tej KLSH bën me dije se edhe në procedurën e prokurimit të realizuar, me objekt: “Rehabilitimi i shëtitores Gjegjan”, janë shpenzuar 12, 460, 515 lekë, si pasojë e parregullsive. Ndërsa në Bashkinë Mat, për sa i përket zhvillimit të procedurës së prokurimit dëmi ekonomik ka kapur shifrën prej 2, 743, 534 lekësh. “Në procedurën e prokurimit të realizuar, me objekt: “Rikonstruksion i kanalit vaditës fshati Derjan, (i pjesshëm) Burrel”, me fond limit 16, 666, 666 lekë, shpallur fitues OE me ofertën më të disfavorshme ekonomike për vlerën prej 16, 458, 763 lekë, me diferencë nga fondi limit prej 207, 903 lekë, nga ku ka rezultuar se një OE pjesëmarrës ndodhet në kushtet e keqinformimit për qëllime kualifikimi pasi ka ngarkuar në Sistemin Elektronik të Prokurimit (SEP) dokumente të rreme apo pa vërteta”, thuhet në njoftim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here