Komedia “Pesë ditë mbret”, një premierë nga Stefan Çapaliku në Metropol

    0
    511

    Komedia “Pesë ditë mbret” pritet të jetë premierë në sezonin artistik në teatrin e Metropolit. Shkruar dhe me regji nga Stefan Çapaliku, provat për vënien në skenë të komedisë “Pesë ditë mbret” kanë nisur prej disa ditësh. Regjisori Stefan Çapaliku është i njohur dhe i vlerësuar me aktivitetin e tij në skenat teatrore. Jo vetëm në Tiranë, por dhe në skena të teatrove të qyteteve të ndryshme veprat e tij si autor dhe regjisor nuk kanë munguar. Por ky sezon artistik e gjen në teatrin e Metropolit, në punë me një premierë. Në role janë Ilirda Bejleri dhe Rafael Hoxhaj. Muzika origjinale është kompozuar nga mjeshtri i mirënjohur Haig Zacharian. Skenografia është e të riut Divni Gushta dhe kostumografia nga Frenci Gjerasi. Autor dhe regjisor Stefan Çapaliku shprehet se komedia “Pesë ditë mbret” vjen si produksioni më i fundit i teatrit të Metropolit. Regjisori tregon se premiera do ndodhë me 5 mars në sallën “Çehov” të teatrit. “Pesë ditë mbret” sipas regjisorit është historia dhe aktualiteti i një ngjarje të mendjes. Duke folur për këtë pjesë teatrore, regjisori Stefan Çapaliku shprehet se kjo vepër teatrore është shkruar gjatë vitit, që lamë pas. Ai u frymëzua nga një ngjarje e dëshmuar publikisht nga një klloun gjerman i quajtur Otto Witte, lindur më 1872 dhe vdekur më 1958. Sipas regjisorit Çapaliku, fatkeqësisht apo fatmirësisht nuk ekzistojnë dokumente të tjera të tërthorta, që ta vërtetojnë rrëfimin e këtij kllouni, se në vitin e largët 1913, na paska qenë për pesë ditë mbret i Shqipërisë. “Gjithsesi historia e treguar prej tij është aq atraktive dhe ekzistuese, saqë ajo ka zgjuar frymëzimet e disa autorëve perëndimor. Kështu për shembull romancieri gjerman Andreas Izquierdo shkruan më 2007 romanin “Mbreti i Shqipërisë” (Konig von Albanien)”, shprehet autori dhe regjisori Çapaliku për këtë shfaqje teatrore që do të jetë në skenë.

    Tekstet e bazuar mbi histori

    Regjisori Stefan Çapaliku shton më tej se po kështu dy vite më vonë, dramaturgu francez Fabrice Melquiot shkruan një tekst dramatik bazuar mbi këtë histori. “Ajo vihet në skenë në vitin 2009 nga Camille dhe Manolo, me aktorin David Mandineau në “Theatre du Gymnase” të Marsejës. Më pas është autori skocez Andrew Nicoll gjithashtu duke u mbështetur në historinë e rrëfyer nga Otto Witte shkruan në vitin 2012 romanin “If you’re reading this I’m already dead” (Nëse e lexon këtë unë nuk do jem). Me gjasë ky është teksti i katërt fiksionant që trajton historinë e mendjes së Otto Witte, i cili vdiq duke pretenduar se kishte qenë për pesë dit mbret i Shqipërisë”, thotë regjisori. Këtë herë regjisori Çapaliku ka zgjedhur aktorët Rafael Hoxhaj, që vjen në rolin e Ottos dhe Ilirda Bejleri në rreth gjashtë role të tjera shoqëruese. Veprat e Stefan Çapalikut janë shfaqur në disa festivale ndërkombëtare të teatrit, ku ai është nderuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Pjesë nga veprat e tij në poezi, prozë, dramë dhe ese janë përkthyer në anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, rumanisht, polonisht, bullgarisht, serbisht, maqedonisht dhe turqisht. Ai është i nominuar për çmimin “Europa Prize of Theater for the New Theater Realities”(Çmimi Evropian për Teatrin e Ri). Si dramaturg u nderua me çmimin e autorit më të mirë shqiptar në vitet 1995, 2003, 2007, 2012, 2016.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here