Vrasjet në Tropojë, Fatos Klosi: Ja pse ka gisht Berisha, frika e zbulimit të paktit me Millosheviçin për naftën dhe plani për të sulmuar Jugun

0
22

Saga e vrasjeve që kanë tronditur Tropojën pas viteve ‘90, është rikthyer së fundmi në qendër të vëmendjes. Si pasojë e pleksjes së politikës dhe interesave për pushtet, ky qytet prodhoi më shumë se 200 viktima, duke futur në hasmëri disa fise. Ndërkohë, një prognozë kësaj tragjedie të madhe që preku Tropojën, dy ditë më parë i ka bërë edhe Zylfije Haklaj, motra e Shkëlqim, Halil, Ylli dhe Fatmir Haklajt, të cilët kanë mbetur të vrarë si pasojë e këtyre kulisave. Përmes një rrëfimi të dorës së parë në një interviste televizive, Zylfije Haklaj bëri fajtor për vrasjen e vëllezërve të saj dhe për gjakun e derdhur në Tropojë vetëm një person, i cili është ish-kryeministri Sali Berisha. Por dritëhije për këtë ngjarje ka hedhur edhe ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi.

Ky i fundit gjatë një prononcimi, akuzoi dje Berishën se është përgjegjësi kryesor për vrasjet e ndodhura në Tropojë. Sipas tij, Berisha me ligësinë e tij shkoi deri atje sa iu shkatërroi shtëpitë dhe varret familjes Haklaj, ndërkohë që i futi në sherr me fise të tjera, që mbështeteshin nga ish-kryeministri. “Mendoj se ish-kryeministri Sali Berisha është përgjegjësi kryesor për qindra vrasjet që kanë ndodhur në Tropojë. Berisha i nxiti ato, ndërkohë që edhe pas vrasjeve të vëllezërve Haklaj ka gisht Saliu. Sali Berisha u rrafshoi shtëpitë dhe madje u prishi edhe varet familjes Haklaj dhe dihet që kjo gjë do ta shtonte dozën e përplasjeve mes grupeve. Berisha ka gisht për të gjitha këto”, deklaroi ai.

Berisha frikë nga zbulimi i paktit me Millosheviçin

Duke folur më tej për këtë tragjedi që përfshiu Tropojën, ku për pasojë gati 200 persona kanë mbetur të vdekur, ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi deklaroi se një nga arsyet se përse ish-kryeministri Sali Berisha është i përfshirë në këto ngjarje është fakti se djemtë e Tropojës zbuluan paktin që ai kishte bërë me Millosheviçin për të thyer embargon e naftës. Kështu që, duke pasur frikë nga zbulimi i kësaj afere, Berisha, sipas Klosit, u vu në lëvizje duke urdhëruar vrasjen e djemve të Tropojës. “Vrasjet e bujshme që kanë ndodhur në Tropojë, ku për pasojë shumë njerëz u vranë është një ngjarje e rëndë dhe jam i prirur ta besoj se pas tyre fshihet ish-kryeministri Sali Berisha. Saga e vrasjeve në Tropojë është një odise e gjatë e mbushur me mister, por edhe me fakte të bëra publike tanimë. Dihet botërisht që një nga arsyet e zinxhirit të vrasjeve të ndodhura në Tropojë u nxit nga Sali Berisha, duke qenë se ai asokohe theu edhe embargon e naftës me ish-Jugosllavinë dhe duke qenë vend kufi me Kosovën, ka pasur frikë për rrjedhjen e informacionit”, u shpreh ai.

Berisha plan për të sulmuar Jugun

Por për ish-kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi zbulimi i thyerje së embargos së naftës nuk ishte e vetmja gjë që shqetësonte asokohe ish-kryeministrin Sali Berisha. Gjatë prononcimit të tij, zoti Klosi zbuloi se Berisha në vitin 1997 kërkonte të rekrutonte djem nga Tropoja për t’i çuar në jug të Shqipërisë dhe për të sulmuar grupet që ishin ngritur kundër tij.

Mirëpo, kjo gjë u kundërshtua nga vëllezërit Haklaj, veprimi ky që sipas Klosit, nuk u mirëprit nga Berisha, i cili nisi hakmarrjen ndaj tyre. “Familja Haklaj ishte një mbështetëse e madhe e Partisë Demokratike, por që më pas nuk e mbështeti këtë parti dhe ideologjinë e Sali Berishës. Njëra nga përplasjet mes Berishës dhe Haklajve ishte fakti që dihet botërisht që familja Haklaj nuk mbështeti planin ogurzi të Berishës gjatë verës së vitit 1997. Berisha asokohe po përgatiste dhe kërkonte rekrutimin e burrave nga Veriu i vendit për t’u rreshtuar përkrah forcave të Gardës për shtypjen e revoltave në qytetet e Jugut. Por ky plan i Berishës dështoi, pasi Haklajt nuk pranuan që të bashkëpunonin me Berishën dhe ky i fundit më pas u hakmor ndaj tyre”, nënvizoi ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi.

Leave a Reply