Merkato me emra “anonimë”, blerjet e Superiores me kontrata 6-mujore dhe me vlerë deri në 20 mijë dollarë

0
270

Merkato dimërore po shkon drejt fundit, por ajo ende nuk po jep ndonjë sadisfaksion për sportdashësit, nisur nga fakti se blerjet jo vetëm janë të pakta, por edhe me emra jo të rëndësishëm në treg. Kjo ka nxitur opinionistët dhe kritikët në tërësi ta cilësojnë merkaton e tanishme “anonime”, nisur nga blerjet e dobëta që kanë bërë klubet e Kategorisë Superiore në treg. “Anonime” për vetë emrat e afruar, ku shumica janë lojtarë të huaj, pa ndonjë CV të shprehur me skuadrat ku kanë luajtur e pa ndonjë impakt në radhët e klubeve tona, me pak fjalë janë blerje që bëhen sa për të përforcuar ndonjë repart që çalon ose më saktë sa për të mbushur “vrimat” që kanë skuadrat në këtë rrugëtim sezonal.

Partizani e Kukësi, shumë zhurmë për asgjë

Padyshim, vëmendja shkon tek skuadrat kreut, pra ato që pretendojnë titullin. Partizani dhe Kukësi kanë duel direkt me njëri-tjetrin në xhiron e radhës së Superiores dhe do të prezantojnë blerjet e tyre, por asnjëra nuk ka çfarë prezanton, pasi emrat që kanë lëvizur në dalje janë më të rëndësishëm se ata që kanë hyrë. Kukësit i janë larguar disa elementë dhe ka afruar të tjerë që janë të të njëjtit nivel, me pak fjalë Kukësi ruan bërthamën e rupit që kishte dhe ndryshimet në merkato nuk kanë peshë në formacion e as në objektiva. E thënë ndryshe, Kukësi ruan tiparet e skuadrës që ishte gjatë pjesës së parë të sezonit dhe i bën llogaritë e veta mbi këtë grup. Partizanit i është larguar një futbollist me peshë si Jasir Asani dhe është e vështirë që ai të zëvendësohet me po të njëjtën cilësi. Emrat e tjerë që kanë ndryshuar nuk sjellin progres të madh, për pasojë Partizani deri në këtë moment është i dobët në merkato. Por të kuqtë shpresojnë të luajnë me një ose dy elementë në ditët e fundit të merkatos. Pas dyshes së sipërpërmendur vjen Tirana, e cila ka pësuar largime më të rëndësishme sesa afrime.

Tirana pa orientim, Teuta merkato cilësore

Njësoj si Kukësi, edhe Tirana e pretendon objektivin e vet në bazë të bërthamës që kishte më parë dhe besohet që bardheblutë do të ruajnë këtë ritëm deri në fund, duke shpresuar të përmirësohet loja e skuadrës në vijimësi dhe përsoset finalizimi i reparteve. Skuadra e katërt që ka shanse titulli është Teuta. Durrsakët kanë bërë blerje dhe besohet se ato janë pozitive dhe me impakt në paraqitje. Edhe pse humbi në xhiron e fundit ndaj Laçit, “djemtë e detit” kanë potencial për të rritur pritshmëritë e tyre sepse u ka ardhur një lojtar si Hebaj, që është i sprovuar, ndërsa dje u zyrtarizua dhe një futbollist boshnjak që mendohet se bën diferencë. Pra Teuta shpreson të ketë bërë merkato që sjell ndryshim dhe trajneri Edi Martini i kishte kërkuar klubit të paktën dy blerje që bëjnë diferencë. Po a do ta sjellin diferencën dy blerjet cilësore të klubit durrsak? Kjo është një pikëpyetje që do të sqarohet në javët dhe muajt në vijim. Për momentin Teuta është në pozita të mira dhe mund të shfrytëzojë kohën të kthehet si pretendente e parë.

Vllaznia rritet, bie Flamurtari

Në Vlorë e kanë të qartë se kjo skuadër nuk reziston dhe do të bjerë nga kategoria nëse nuk ndodh ndonjë mrekulli në ditët e fundit të këtij janari. Flamurtari nuk ka bosht ekipi, ka vetëm ca numra që ndërtojnë një formacion. Administratori SAinan Idrizi pretendon se do të ketë lëvizje surprizë të orës së fundit, por deri tani në Vlorë askush nuk beson tek një mrekulli që shpëton skuadrën nga rënia një kategori më poshtë. Ndryshe nga Flamurtari, Vllaznia ka bërë blerje, jo shumë të bujshme, por fitorja e fundit e tyre në Shkodër ndaj Flamurtarit konfirmoi se kuqeblutë kanë marrë një lojtar që bën diferencë, plus që ka disa elementë me eksperiencë që e nxjerrin ekipin nga situata.

Prandaj Vllaznia mund të jetë një surprizë deri në fund, pavarësisht se menaxhimi prej bashkisë lë për të dëshiruar. Dy skuadra të tjera që ngjallin interes janë Laçi e Bylisi, të dyja me pretendime për trofe apo të paktën në Europa League. Nuk kanë bërë lëvizje të rëndësishme, duke i besuar grupit të mëparshëm. Në tërësi mund të thuhet se merkato e dimrit është zhurmë e madhe për asgjë serioze, lëvizje të dobëta dhe me emra “anonimë”, pra merkato pa peshë për objektivat sezonale. Të paktën kjo është situata e deritanishme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here