Barcelona nuk heq dorë nga sulmuesit, sidomos nga sulmuesit cilësorë. Klubi katalanas ka shpenzuar gjatë viteve të fundit shuma marramendëse për blerjen e goleadorëve dhe i ka dhënë provat jo vetëm me Luis Suarezit, por edhe me Osman Dembelenë, i cili rezultoi dështim. Po dështim rezultoi dhe braziliani Kutinjo, ndërsa i vetmi që ka mundur të qëndrojë gjatë në krah të Mesit është vetëm Suarez. Por mirë është paraqitur edhe Nejmar për sa kohë qëndroi në “Kamp Nou”.
Nuk është rastësi që përmendet ende MSN si tredhëmbëshi më efikas në vijën e parë të lojës katalanase. Ardhja e Griezmanit ka shtuar rivalitetin, por mbetet për t’u parë nëse francezi do të jetë apo jo i suksesshëm. Me pak fjalë, Barcelona vijon të eksperimentojë në sulm për gjetjen e perfeksionit, pasi një gjë të tillë e kërkojnë jo vetëm objektivat e larta të skuadrës, por edhe se në sulm militon numri një i futbollit botëror, argjentinasi Lionel Mesi. Dhe për Mesin Barça është gati të hyjë edhe në luftë e jo më të bëjë blerje të mëdha në fazën ofensive. Ndërkohë, në skenë po lakohet emri i sulmuesit të radhës. Kështu, dëmtimi serioz i Luis Suarezit, që do të qëndrojë larg fushave të blerta për rreth 4 muaj, i ka detyruar drejtuesit e Barcelonës të vështrojnë nga merkatoje, për afruar një lojtar goli, që do të zgjidhte “hallet” e “blaugranave” në fazën sulmuese.
Emri i piketuar është sulmuesi i Arsenalit, Pierr-Emerik Obamejang, i cili mësohet se ka dhënë miratimin e tij për një transferim të mundshëm në “Camp Nou”. Nënshkrimi me 30-vjeçarin gabonez, në fakt, nuk është i lehtë, sepse ai është “ylli” i Arsenalit dhe klubi londinez nuk dëshiron të humbasë një nga asetet e tij më të çmuara. Është në një situatë shumë e komplikuar dhe është e vështirë për tifozët e “Topçinjve” të kuptojnë transferimin e tij. Arsenali është i dhjeti në Premier League, 34 pikë pas liderit, Liverpulit. Performanca e dobët në pjesën e parë të sezonit ka shkaktuar tashmë shkarkimin e Unai Emeri dhe nënshkrimin me trajnerin emergjent, Mikel Arteta, ish-in e Arsenalit, i cili ishte në stafin teknik të Pep Guardiolës te Mançester Siti. Shkurt, situata e klubit anglez nuk është më e përshtatshme për të lejuar shitjen e “yllit” të tij.
Sidoqoftë, sulmuesi nga Gaboni e ka marrë shumë seriozisht largimin e tij pas interesimit të Barçës. Në këtë kuptim, sektori teknik i Barcelonën e njeh në mënyrë të përkryer situatën sportive dhe kontraktuale të Obamejangut, kështu që do të ketë përpjeke për të bërë të mundur blerjen e tij. Sulmuesi ka kontratë me Arsenalin deri në verë të vitit 2021. Në këtë rast, është thelbësor qëndrimi që do të mbajë vetë lojtari, i cili është edhe kapiten i skuadrës, që do të thotë se me këtë përgjegjësi që ka te “Topçinjtë” duhet të matet mirë për çdo lëvizje. Mbetet të shihet nëse do të realizohet kjo lëvizje, por me qëndrimin e kundërt të dy klubeve lëvizja e Obamejang drejt “Kamp Nout” duket disi e vështirë. Por paratë kanë treguar se bëjnë mrekullira edhe në merkato.