Lojtarët e përfaqësueses kuqezi po shqyrtojnë ofertat në këtë dhjetëditësh të fundit të merkatos, me shpresën se do të gjejnë destinacionin e duhur. Natyrisht, këtu bëhet fjalë për ata futbollistë që janë ose pa skuadër ose që dëshirojnë të shkojnë në një ekip më të mirë për objektivat e tyre. Dhe është fakt që lëvizja e Amir Rrahmanit nga Verona drejt Napolit (ka firmosur kontratë, por lëvizja de fakto do të ndodhë në fund të sezonit), si dhe kalimi i Rei Manajt nga Albacete drejt Barcelonës B, janë dëshmi për një pjekuri të mirë të futbollistëve shqiptarë në treg, por njëherësh edhe të menaxherëve të tyre.
Por ndërsa merkato vijon, duhet pranuar që për një pjesë të kuqezinjve dhe legjionarëve tanë në tërësi, kanë nisur aktivitetet futbollistike qoftë në kampionatet e tyre, kupa apo liga të ndryshme. Dhe dje erdhën edhe golat e parë kuqezinj në këtë periudhë, njëri në Europë e tjetri në Azi. Në Europë ishte Armando Vajushi që realizoi për skuadrën e tij rumune Petrolul, një gol që ishte i pari dhe një start me gol e fitore për shkodranin. Ndërsa në Azi shkëlqen mesfushori Migjen Basha, i cili realizoi një gol për kornizë për Melburn Viktori në Champions aziatik, një gol që dëshmon se Basha, i cili është tërhequr nga Kombëtarja, ka ende sharmin e një futbollisti aktiv e cilësor, një lojtari që bën diferencë me eksperiencën e tij. dhe këtë e dëshmoi në fitoren e djeshme të skuadrës së tij ndaj një kundërshtari indonezian në Kupën e kampioneve të Azisë.
Vajushi, vjen goli i parë për Petrolul në Rumani
Ai kaloi pa shumë bujë nga Shqipëria në Rumani, ku kishte qenë dhe më parë. Siç dihet, para pak ditësh Armando Vajushi u bë pjesë e ligës së dytë rumune, ku firmosi me skuadrën e Petrolul Ploeshti e cila është pjesë e Ligës së Dytë rumune. Së fundmi, shkodrani u aktivizua me skuadrën e Teutës në Kategorinë Superiore por nuk ia doli të luante me vazhdimësi, ndaj edhe transferimi në Rumani shihet si një mundësi për t’u rikthyer sërish në formën optimale. Sakaq, ditën e djeshme, 28-vjeçari është shndërruar në protagonist me Petrolulin teksa iu ka dhuruar fitoren me rezultatin 3-2 në ndeshjen miqësore ndaj skuadrës së ligës së dytë hungareze, Budaorsi. Në minutën e 65, Vajushi përfitoi nga një pasim dhe u tregua i saktë për ta depozituar sferën në rrjetë, duke shënuar golin e tretë. Petrolul do të ketë edhe një tjetër ndeshje miqësore në dispozicion për t’i treguar trajnerit se është një kandidat serioz për të luajtur në formacionin titullar të rumunëve.
Ky gol mund të afrojë Vajushin me skuadrën kombëtare, gjithmonë nëse ai do të vijojë performancën cilësore dhe të shënojë sa më shumë gola. Roli i tij në fushë si një mesfushor i avancuar apo sulmues i tërhequr, por edhe loja në krahë e bën atë polivalent për trajnerët, prandaj edhe pëlqehet, por dy vitet e fundit ai ka pasur një ecuri me oshilacione të theksuara dhe për aktivizimin e paktë, si dhe dëmtimet e shumta, nuk ka mundur të rikthehet si kuqezi. Por me këtë start do ta ketë një shans nga trajneri Edi Reja.
Basha, goli i parë në Championsin aziatik, fitore për Melburnin
Mesfushori kosovar, Migjen Basha, që siç dihet e ka deklaruar tërheqjen nga përfaqësuesja kuqezi, gjeti dje rrugën e rrjetës edhe në Champions League aziatike. Ish-mesfushori i kombëtares shqiptare i cili është tërhequr nga kuqezinjtë, i hapi rrugën suksesit të thellë me shifrat 5-0 të Melburn Viktori ndaj skuadrës indoneziane të Bali Junajtid. Në minutën e 14-të, Basha me një goditje të bukur nga hyrja e zonës, mposhti portierin kundërshtar kaloi në avantazh Melburn Viktori që deri në fund shënoi edhe 4 herë të tjera për shifrat finale 5-0.
Me këtë sukses skuadra australiane kaloi fazën gjysmëfinale të “play-off”-it të Championsit dhe për të shkuar në fazën e grupeve tashmë ka vetëm një pengesë të fundit. Migjen Basha është transferuar te Melburn Viktori në verën e 2019-ës teksa ka arritur të zhvillojë 14 ndeshje deri tani në A-League dhe ka arritur të realizojë edhe një gol. Duhet thënë se eksperienca e Bashës e ndihmon atë të jetë produktiv me skuadrën australiane. Besohet se në Melburn ai do të mbyllë edhe karrierën e tij, megjithëse është herët për ta thënë këtë.