Juventus e nisi mbarë vitin e ri, pasi arriti të mposhtë bindshëm 4-0 Cagliarin në “Allianz Stadium” dhe të shkëputet përkohësisht në krye të renditjes, në pritje të ndeshjes mes Napolit dhe Interit në mbrëmje.
Pasi dështuan në Superkupën e Italisë përballë Lazios, në ndeshjen e fundit për vitin që lamë pas, të besuarit e Sarrit ishin impenjuar maksimalisht pasditen e sotme dhe dominuan takimin gjatë gjithë 90 minutave, duke mbyllur kundërshtarin në gjysmëfushë.
Nga ana tjetër sardët u mbrojtën mirë në pjesën e parë, duke lënë shumë pak hapësira, por një gabim në prapavijë në fillim të pjesës së dytë, u kushtoi shtrenjtë, pasi Cristiano Ronaldo përfitoi maksimalisht dhe dërgoi topin në rrjetë.
Më pas bardhezinjtë arritën të shënojnë edhe tre herë të tjera, me Higuain dhe Cristiano Ronalon që kompletoi sot tripletën personale, duke marrë në shtëpi topin e ndeshjes dhe duke i dhënë 3 pikët skuadrës së tij.