Qeveria e Merkelit ka qenë deri tani e zbehtë. Por në vitin 2020 gjërat mund të ndryshojnë. Mund të pritet edhe një kthesë e madhe.
Qeveria gjermane synonte në fakt që para dy vitesh të fillojë me mbështetjen e fuqishme të Evropës. Marrëveshja e koalicionit mes Unionit të Merkelit dhe socialdemokratëve parashikon një “orientim të fuqishëm drejt Evropës”. Marrëveshja e tillë është arritur në negociatat e atëhershme me ish-kryetarin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz, në një kohë kur filluan edhe vizionet evropiane të Macronit. Asokohe në rrugët e Gjermanisë mund të shiheshin shumë të rinj me flamuj evropianë.
Qeveria federale ka bërë këto ditë bilancet e gjysmës së mandatit, ku thuhet se shumë gjëra janë arritur. Opozita mendon ndryshe. “Një lojë pikëlluese”, e quan zëdhënësja e ekologjistëve punën e qeverisë në rrafshin evropian, në dy vitet e fundit. Të gjithë në Evropë po presin Gjermaninë dhe sinjalet nga ky vend, thotë Franziska Brantner, në bisedë me Deutsche Wellen.
Qeveria federale ka përgatitur disa gjëra për të ardhmen. “Gjermania do të marrë presidencën e radhës në BE, në gjysmën e vitit 2020 dhe do të insistojë për një zhvillim më të shpejtë brenda BE”. Një ide e mundshme është publikuar në media. Ministri i Jashtëm Heiko Maas thotë se Gjermania do të angazhohet “për një Evropë të fuqishme dhe sovrane”. Fuqizimi i Evropës në skenën ndërkombëtare kërkon fuqizim në fushën e sigurisë, politikën e jashtme dhe të sigurisë dhe fusha të tjera. Në vendimmmarrje do të përfshihen edhe britanikët, përkundër Brexitit.
Brexiti dhe pasojat
Një prej propozimeve, të cilat kryetari i Komisionit për Evropë, Gunther Krichbaum (CDU), e kujton si të rëndësishme është që britanikët të vazhdojnë të mbeten shumë të afërt me vendimet në BE. Edhe ekologjistja Franziska Brantner mendon se lidhjet mes Britanisë së Madhe dhe BE duhet të jenë të ngushta edhe pas Brexitit në vitin 2020. Kjo do të jetë një prej sfidave më të mëdha të vitit në politikën evropiane. Por ajo mendon, se kryeministri britanik Boris Johnson do të jetë një negociator i ashpër.
Britanikët do të largohen nga BE me 31 janar. E si do të duket e ardhmja, nuk e di askush me saktësi. Franziska Brantner mendon, se duhet të ruhen lidhjet e ngushta në tregti, britanikët duhet të ruajnë standardet sociale dhe ekologjike si ato në BE. Brantner beson, se Gjermania do të luajë një rol qendror në ruajtjen e tregut të brendshëm në BE.
Raportet e ardhshme duhet të definohen deri në fund të vitit 2020, në kohën kur Gjermania është udhëheqëse e Presidencës së radhës. Në këtë periudhë duhet të miratohet edhe buxheti për periudhën 2021 – 2027. Edhe këtu Gjermania duhet të luajë një rol vendimtar.
Me largimin e BM largohet edhe një pagues i fuqishëm. Ndaj Parlamenti Evropian kërkon që të gjitha vendet anëtare të paguajnë më shumë, në mënyrë që BE të ketë në fund më shumë para se tani. Gjermania është kundër ngritjeve të kontributeve. “Qeveria gjermane do të shkurtojë buxhetin e BE, që është absurde, kur dihet se çfarë detyrash e presin”, mendon Franziska Brantner.
Krichbaum nuk e mbështet politikën e përllogaritjeve të mëdha. Por mendon, se BE e ka për detyrë të sigurojë financa të mjaftueshme. Ai mundon se ka vend edhe për kursime në disa gjëra, por në politikën ndaj klimës dhe politikën gjeostrategjike nuk mund të ketë kursime.
Presidentja e re e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar në politikën ekologjike një “Green Deal”. Qeveria gjermane pohon, se bëhet fjalë për një politikë të uljes së gazrave të dëmshme deri në vitin 2050, në pikën e neutralitetit.
Samiti i parë BE-Kinë
Guxim dhe veprim kërkohet edhe në politikën e jashtme. Gjermania do të organizojë dy samite të mëdha në gjashtëmujorin e drejtimit të BE: BE-Afrikë dhe BE-Kinë. Me Kinën do të jetë ky takimi i parë i këtij formati dhe do të mbahet në një kohë kur lista e problemeve është e gjatë. Në radhë të parë për angazhimin e sipërmarrjeve kineze në tregun e brendshëm gjerman, në telekomunikim. Me rëndësi është që të arrihen marrëveshje dhe të ruhen interesat e brendshme, thonë kritikët. Por në këtë samit do të trajohen edhe tema të mëdha – si të drejtat e uigurëve në Kinë apo lëvizjet demokratike në Hongkong.
Ndërsa në samitin tjetër, Gjermania do të angazhohet për pëmirësimin e gjendjes në Afrikë. Raportet duhet të intensifikohen, thonë ekspertët. “Ne nuk mund të presim që të tjerët të angazhohen më shumë këtu, si SHBA për shembull, kur dihet se Afrikën e kemi para derës së shtëpisë”, thotë Krichbaum.
Edhe Franziska Brantner mendon, se Gjermania duhet ta trajtojë Afrikën si “një kontinent i shanseve”. Bashkëpunimi duhet të jetë më i ngushtë në fushën e energjisë por edhe temën e refugjatëve. Krichbaum dhe Brantner mendojnë se në këtë gjashtëmujor mund të forcohet edhe politika gjermane ndaj BE./DW