Qeveria ka vendosur të ndryshoj ligjin e Prokurimit Publik. Së fundmi është hedhur për konsultim një ligj tërësisht i ri, i cili sjell mjaftë ndryshime në kontratat mes shtetit dhe privatit. Në risit e këtij projektligji evidentohet futja e një sërë nocionesh të tjera tenderësh. Referuar ligjit aktual, llojet e procedurave janë: procedurë e hapur; procedurë e kufizuar; procedurë me negocim, me ose pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës; ç’kërkesë për propozime; konkurs projektimi; procedurë “shërbim konsulence”. Ndërkohë me zbatimin e ligjit të ri shtohen edhe këto procedura të reja: procedurë konkurruese me negocim, e cila përdoret vetëm në rastin e kontratave të sektorit klasik; partneritet për inovacion; dialogu konkurrues; procedurë me negocim, me shpallje paraprake të njoftimit, e cila përdoret vetëm në rastin e kontratave sektoriale, ku përfshihen veprimtari që kanë të bëjnë me shërbimet e transportit, ujit, energjisë, gazit, shërbimet postare, portet dhe aeroportet; procedurë e hapur e thjeshtuar. Më konkretisht, dialogu konkurrues është procedurë që zhvillohet në tre faza, faza parakualifikuese, faza e dialogut dhe faza e paraqitjes së ofertës përfundimtare dhe vazhdon dialogun deri në identifikimin e zgjidhjes që mund të plotësojnë nevojat e entit. Për sa i përket proceduarve me negocimin, enti kontraktor identifikon nevojën për një produkt, e cila nuk mund të përmbushet duke blerë produktet që gjenden në treg. Kontratat jepen vetëm mbi bazën e kriterit të raportit çmim-cilësi. Për procedura me negocim pa shpallje paraprake shpjegohet se, mund të përdoret për kontratat publike të punëve në rastet: kur në përgjigje të proceduarve të lartpërmendura nuk është paraqitur asnjë kërkesë për pjesëmarrje; kur punët, mallrat mund të ofrohen vetëm nga një operator ekonomik i caktuar; kur produktet e përfshira janë prodhuar vetëm për arsye kërkimi. Në dallim nga parashikimet e ligjit aktual është ulur vlera e penalizmit me gjobë, në raste të konstatimit të kundërvajtjeve administrative, nga 1 000 000 lekë në 500 000 lekë.
Kontratat e Rezervuara
Përdorimi i kontratave të rezervuara është një tjetër risi e sjellë në këtë projektligj. Sipas ligjit, entet kontraktore rezervojnë të drejtën e pjesëmarrjes organizatave të caktuara, për dhënien e shërbime shëndetësore, sociale dhe kulturore. Në këto raste është kusht që kompanitë të kenë punësuar në staf 30 % të personave me aftësi të kufizuara ose personave në nevojë. Përcaktohet se, që një organizatë të japi këto shërbime nëpërmjet këtyre rrugëve duhet që: qëllimi i saj të jetë përmbushja e një misioni të shërbimit publik, fitimet të investohen sërish për përmbushjen e objektivave të organizatës; gjatë tre viteve të fundit, organizata nuk është shpallur fituese e një kontrate. Kriteret skualifikuese lehtësohen. Kështu nëse një kompani nuk ka paguar taksat, ajo mund të marrë pjesë në tendera me kusht që të lidhi me tatimet marrëveshje për shlyerjen e detyrimeve përfshirë dhe gjobat nëse ka.
Të tjera risi
Sipas ligjit, autoritetet tenderuese do të kenë mundësi të negociojnë paraprakisht me kompanitë dhe të modifikojnë kontratat gjatë afatit të tyre, me një kufi të lejuar deri në 20% të vlerë së kontratës fillestare. Sigurimi i ofertës, nuk duhet të jetë më shumë se 2% e vlerës së ofruar. Ligji shkurton afatet për ankimimet. Në procedurat e prokurimit mbi kufirin e lartë monetar, operatorët ekonomikë kanë të drejtë të ankohen brenda 10 ditëve nga publikimi i njoftimit të kontratës. Në procedurat e prokurimit nën kufirin e lartë monetar, ky afat është 5 ditë. Ndërsa në rastin e konstatimit të një kontrate publike të lidhur pa zhvilluar ndonjë nga procedurat, afati për paraqitjen e një ankese është 60 ditë, por jo më vonë se 6 muaj nga data e nënshkrimit të kontratës. Është futur për herë të parë i konceptit të modifikimit të kontratave, si dhe rasteve të pavlefshmërisë së kontratave.
Esmeralda Hida