Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kërkoi gjykim të menjëhershëm në Senat, pasi Dhoma e Përfaqësuesve votoi të mërkurën për shkarkimin e tij. Trump u akuzua për abuzim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit. Rasti tani duhet të kalojë në Senat dhe ligjvënësit atje duhet të vendosin për largimin ose jo të presidentit nga detyra.Senati kontrollohet nga Partia Republikane e Trumpit dhe gjasat për shkarkimin e tij shihen si tejet të vogla. Megjithatë, demokratët, që kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuseve, kanë refuzuar deri më tash ta çojnë rastin në Senat, duke thënë se ky institucion nuk i lejon dëshmitë e dëshmitarëve dhe se, në këtë mënyrë, nuk do të mbajë gjykim të drejtë. Në një seri të postimeve në Twitter, Trump tha se demokratët nuk duan gjykim, sepse “rasti i tyre është shumë i keq”.“Ata kanë zero prova”, tha Trump. Udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, ka thënë më herët se procesi në Senat mund të zhvillohet pa dëshmitarë. Trump akuzohet se i ka bërë presion Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për Joe Bidenin, i cili mund të jetë rival i tij në zgjedhjet e vitit 2020, dhe djalin e tij Hunter.Hunter ka punuar për një kompani ukrainase, kur Joe Biden ka qenë nënpresident i SHBA