Teksa dje Këshilli i Lartë i Prokurorisë zgjodhi drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme dhe u bë betimi i 8 prokurorëve të SPAK, duke shënuar kështu funksionimin e saj, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me Gjykatën e Posaçme, e cila dje, më datë 19. 12. 2019 ka nisur të funksionojë. Lajmi u bë me dije përmes një njoftimi për media, duke bërë të ditur se Gjykata e Posaçme do të nisë punën paralelisht me SPAK, për të hetuar çështjet më me bujë në vend. “Me Vendimin Nr. 286, datë 18.12.2019 “Për fillimin e funksionimit të Gjykatave të Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” të Këshillit të Lartë Gjyqësor, është vendosur fillimi i funksionimit të Gjykatave të Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më datë 19.12.2019. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda emërtohet Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Selia e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është në Tiranë, në ndërtesën aktuale të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Numri i gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është 16 (gjashtëmbëdhjetë). Ky vendim i fillon efektet më datë 19.12.2019. Nga ana e institucionit tonë janë marrë të gjitha masat organizative për fillimin e veprimtarisë gjyqësore dhe asaj administrative si Gjykatë e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në njoftimin për shtyp. Më tej zëdhënësja e Gjykatës së Posaçme bëri me dije se janë marrë të gjitha masat për një tranzicion sa më të shpejtë. Sipas zyrës së shtypit, janë gati vulat dhe uniformat me logot e reja. “Nga ana e institucionit tonë janë marrë të gjitha masat organizative për fillimin e veprimtarisë gjyqësore dhe asaj administrative si Gjykatë e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si: përgatitja e vulës së institucionit, emërtesat, tabelat orientuese për publikun, regjistrat gjyqësorë dhe regjistrat e tjerë, fashikujt e kërkesave e të çështjeve penale, togat e gjyqtarëve, të sekretareve, veshjen uniformë të nëpunësve gjyqësorë, sistemi i sigurisë dhe i kamerave të vëzhgimit, serverat etj. Po vijojmë punën për përshtatjen e sistemit të menaxhimit të çështjeve sipas kërkesave procedurale e penale të Gjykatës së re dhe së shpejti do dalim për median dhe publikun me faqen e re të internetit dhe logon e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në deklaratë.