Zbardhet udhëzimi i Arta Markut një ditë para largimit, merren masa për presionet politike në drejtësi, rritet roli i drejtuesve

0
301

Akti i fundit i firmosur nga Arta Marku para lënies së detyrës është një udhëzim për pavarësinë e prokurorëve dhe rolin e drejtuesve. Një ditë para se Parlamenti të zgjidhte Olsian Çelën Kryeprokuror, Marku ka firmosur udhëzimin, i cili ka për qëllim marrjen e masave mbi presionet politike dhe rritjen e rolit të drejtuesve. Në udhëzimin i cili mban datën 4 dhjetor janë evidentuar masat që duhet të merren kur ka presione politike ndaj prokurorëve. Sipas udhëzimit që mban firmën e Arta Markut, i jepet e drejta prokurorit që të kallëzojë apo të arrestojë në mënyrë flagrante gjithë ata persona politikë apo juridikë të cilët ushtrojnë presione. “Prokurori në çdo rast që evidenton ndërhyrje ose ushtrim ndikimi, të papërshtatshme, apo në kundërshtim me ligjin ndaj tij, nga brenda sistemit të prokurorisë, apo nga përfaqësues të pushtetit legjislativ, ekzekutiv, medias apo çdo personi tjetër juridik a fizik apo subjekt i procedimit penal. Menjëherë refuzon çdo ndërhyrje ose ushtrim ndikimi të paligjshëm, merr çdo masë për të qenë dhe të duket se është jashtë çdo ndikimi dhe ushtron funksionet në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit. Prokurori në këto raste, kur janë kushtet dhe/ose kriteret ligjore, sipas rastit, menjëherë paraqet kallëzim penal dhe/ose kryhet arrestimi në flagrancë i personit që ushtron ndikimin, të paligjshëm dhe njofton pa vonesë drejtuesin e Prokurorisë, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe/ose kryetarin e saj”, thuhet në udhëzim.

Roli i drejtuesve

Por ajo që bie në sy në urdhrin e Arta Markut është rritja e rolit të drejtuesve të prokurorive. Në nenin 12 theksohet se prokurorët duhet t’i komunikojnë në mënyrë të menjëhershme kryeprokurorit për çdo arrestim, ndalim, apo hetim të grupeve kriminale. Po ashtu, prokurori informon eprorin e tij edhe për çdo problematikë që has para hetimit të një çështje të caktuar. Në udhëzimin e miratuar nga Arta Marku para se të linte detyrën, në nenin 10 theksohet për mënyrën dhe procedurat që do të ndiqen në nxjerrjen e udhëzimeve të përgjithshme dhe mbikëqyrja e zbatimit të tyre. Në udhëzim theksohet se Prokurori i Përgjithshëm nxjerr udhëzime të detyrueshme si dhe kujdeset për ushtrimin e kompetencave ligjore dhe kushtetuese të prokurorëve të gjykatave të apelit dhe të gjykatave të shkallës së parë. Po ashtu, drejtuesit e prokurorisë pranë këtyre gjykatave duhet të nxjerrin udhëzime të përgjithshme në mënyrë që të lehtësohet zbatimi i urdhrave që u janë dhënë.

Varësia e prokurorëve

Por në nenin 8 të udhëzimit theksohet edhe marrëdhënia mes Prokurorit të Përgjithshëm dhe vartësit të tij. Sipas këtij neni, prokurori duhet të marrë pjesë në çdo mbledhje të thirrur nga kryeprokurori, si dhe duhet të zbatojë kushtet dhe kriteret e përcaktuara sipas ligjit në fuqi. Në marrëdhënien mes tyre janë evidentuar edhe disa të drejta të tjera, të cilat janë të detyrueshme për tu zbatuar. Kështu, prokurori është i detyruar për të zbatuar në mënyrë korrekte Kushtetutën dhe ligjin. Po ashtu, prokurori ka për detyrë të shmangë çdo lloj ndikimi me faktorë të jashtëm që janë në kundërshtim me ligjin, si dhe të informojë në mënyrë të detajuar Prokurorin e Përgjithshëm për çdo procedim që i kërkohet informacion.

Elisjeda Kiko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here