Kryeministri Edi Rama ka pranuar në emisionin ‘Porta a Porta’ se Kristi Reçi e cila humbi jetën nën rrënojat e tërmetit ishte e fejuara e djalit të tij Greg Rama. Teksa u ngushëllua nga gazetari Bruno Vespa për këtë humbje, Rama tha se nuk ka dashur të flasë për këtë gjë sepse tërmeti nuk ka prekur vetëm atë dhe familjen e tij por të gjithë vendin.
“Kam detyrimin të bëj kryeministrin e një vendi që vuan tragjedinë, ndaj nuk doja të flisja për këtë ngjarje sepse nuk është diçka që më përket vetëm mua dhe familjes sime, por i përket të gjithëve. Kjo humbje vetëm sa e shtoi detyrimin tim për të bërë gjithçka, sepse nuk shoh ndryshim nga gjithë të tjerët që humbën jetën”, thotë Rama.
Kristi Reçi, studente në Fakultetin e Mjekësisë, u shua bashkë me familjen e saj pas tërmetit të 26 Nëntor. Nga rrënojat e pallatit ku ata jetonin u nxorën të pajetë babai i saj Eduard Reçi, nëna Dolora Reçi dhe vëllai Klaus Reçi.