Bëhet me dije se Policia e Beratit ka finalizuar ditën e sotme me sukses operacionin ‘STOP’, duke arrestuar tre inspektorë në Bashkinë e Beratit.
Mësohet se shtetasit kanë favorizuar dhe lejuar persona të ndryshëm për të kryer ndërtime pa leje në territorin e Bashkisë Berat.
Njoftimi i policisë:
Operacioni pas një hetimi 6-mujor, zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Berat, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat.
Vihen në pranga 3 shtetas për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.
Në vijim të zbatimit të planit të masave për goditjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e krimit ekonomik dhe në kuadër të procedimit penal të regjistruar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, është finalizuar me sukses operacioni “Stop”.
Si rezultat, u bë ekzekutimi i Vendimit Penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, e cila më datë 04.12.2019 ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasit:
– L.S., 50 vjeç, banues në Dyshnik, Berat;
– E.V., 29 vjeç, banues në Berat;
– D.H., 45 vjeç, banues në Berat, të tre me detyrë inspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë Berat.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se 3 Inspektorët, në kundërshtim me ligjin, kanë favorizuar dhe lejuar shtetas të ndryshëm për të kryer ndërtime pa leje në territorin e Bashkisë Berat.