Miratohet vendimi, 725 mln lekë për naftëtarët, minatorët e metalurgët, ja procedurat për të përfituar pension suplementar

0
343

Qeveria i ka hapur rrugë zbatim të ligjit për përfitim të pensioneve për naftëtarët, minatorët dhe metalurgët. Edhe pse ligji ishte miratuar që në pranverë të këtij viti, nuk po gjente zbatim për shkak të mungesës së akteve nënligjore. Por, dje në Fletoren Zyrtare është publikuar një vendim i qeverisë, ku paraqitet dokumentacioni që duhet dorëzuar dhe është përcaktuar shuma që do shkojë për këtë kategori. “Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i ligjit, llogariten në shumën 725 000 000 lekë dhe përballohen nga fondet e programuara në buxhetin e sigurimeve shoqërore të vitit 2019. Ndërkohë dokumentet e nevojshme që duhet të paraqesë çdo individ janë: fotokopje e dokumentit të identifikimit; vërtetim të zyrës së Gjendjes Civile në rast të ndryshimit të gjeneraliteteve; librezë e punës të plotësuar; vërtetim për bazën e vlerësuar për periudhat e punësimit nga data 1.1.1994 deri në datën e ndërprerjes së marrëdhënieve financiare nga puna ose vërtetimin e posaçëm të konfirmimit të llojit të punës në profesionet e vështira, sipas përcaktimeve në këtë ligj dhe në vendimin e lëshuar nga ndërmarrja ku personi ka qenë i punësuar, kur subjekti është aktiv ose nga dokumentacioni arkivor i sigurimeve shoqërore; vërtetim për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për burrat); çdo dokumentacion tjetër që vërteton llojin dhe periudhën e punës për efekt pensioni”, thuhet në vendim. Gjithashtu në vendim janë bërë të ditura të gjitha dokumentet e nevojshme që duhet të disponojnë personat të cilët kërkojnë të përfitojnë shtesë mbi pensionin sipas nenit 4, të ligjit të nr. 29/2019. “Të gjithë aplikantët duhet plotësojnë dhe dorëzojnë në strukturat vendore të Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara ose në agjencitë lokale të sigurimeve shoqërore dokumentet e mëposhtme: kërkesën për përfitimin e shtesës mbi pension, sipas formatit tip të miratuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore; fotokopjen e dokumentit të identifikimit, të nënshkruar personalisht, i cili duhet të jetë brenda afatit të vlefshmërisë; çdo dokumentacion tjetër që vërteton llojin dhe periudhën e punës për efekt pensioni, i njohur për zbatimin e dispozitave të ligjit”, thuhet në vendim.

Dokumentacioni për punonjësit nga subjektet e mbyllura

Më tej në vendim sqarohet se Instituti i Sigurimeve Shoqërore vendos në dispozicion të kërkuesve, brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, formatin e kërkesës për përfitimin e pensionit për shkak të profesionit dhe për përfitimin e shtesës mbi pensionin, si dhe formatin e vërtetimit të posaçëm të konfirmimit të llojit të punës në profesionet e vështira. Gjithashtu bëhet një sqarim në lidhje me dokumentacionin e punonjësve, subjektet në të cilët ata kanë punuar tashmë janë mbyllur. “Në rastet kur subjektet punëdhënëse nuk janë aktive ose janë të mbyllura, dokumentacioni vërtetues i llojit të punës dhe kohëzgjatjes së saj, si dhe baza e vlerësuar për efekt të kalkulimit të pensionit plotësohen nga strukturat përgjegjëse të sigurimeve shoqërore dhe bashkohen në dokumentacionin e dosjes së përfitimit, duke ia bërë të njohur edhe personit kërkues”, sqarohet në vendim. Më tej në vendim thuhet se shuma e transfertës nga buxheti i shtetit dhe procedurat e financimit të fondit të sigurimeve shoqërore realizohen gjatë procesit të përgatitjes së buxhetit të shtetit.

Esmeralda Hida

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here