Mazhoranca jep alarmin për ndikimin rus, Moska tentativë për të ndërhyrë në zgjedhje dhe kapur mediat, rezolutë në Parlament

0
281

Mazhoranca ka dhënë dje alarmin për rritjen e rrezikut rus në vend. Një ditë pasi zëvendës ambasadorja e SHBA paralajmëroi filorusët në Tiranë, mazhoranca ka hartuar një rezolutë me qëllim frenimin e ndikimeve të huaja në vend, e sidomos ato ruse. Në draftin e propozuar nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, theksohet se vendet që nuk na duan të mirën po tentojnë të hyjnë në zgjedhje dhe në media. Mazhoranca ka hartuar këtë rezolutë duke pasur parasysh se ndërhyrja elektorale e huaj përbën një sfidë të madhe, pasi paraqet rreziqe serioze për shoqërinë dhe institucionet demokratike shqiptare, të drejtat dhe liritë themelore, sundimin e ligjit, sigurinë, mirëqenien ekonomike dhe, në fund të fundit, përbën një sfidë për sovranitetin e Shqipërisë. Po ashtu theksohet se u morën nisma për të hartuar këtë rezolutë duke pasur parasysh që ndërlidhja globale e njerëzve dhe ekonomive me instrumente dixhitale dhe teknologji të reja është përdorur dhe keqpërdorur nga shtete të caktuara që merren me ndërhyrje të huaj. “Kuvendi i Shqipërisë nënvizon se liria e fjalës dhe e të shprehurit, mbrojtja e të dhënave personale dhe pluralizmit të mediave, janë në thelb të shoqërive demokratike dhe sigurojnë mbrojtjen më të mirë kundër fushatave dezinformuese dhe propagandës armiqësore”, thuhet në dokument. Në draftin e propozuar nga Balla, vlerësohet nevoja e miratimit sa më shpejt të masave të nevojshme legjislative dhe administrative për të parandaluar dhe luftuar dezinformimin, në zbatim të praktikave më të mira europiane, me qëllim mbrojtjen e proceseve demokratike dhe forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet publike. Po ashtu në rezolutë përsëritet se ndërhyrja e huaj, duke pasur parasysh më së shumti ndërhyrjen ruse, minon të drejtën e shtetasve për të thënë fjalën e tyre në qeverisjen e vendit. “Kuvendi: Beson se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë në zemër të procesit demokratik dhe prandaj kërkon që institucionet e vendit të ndërmarrin veprime për këtë çështje, në kuadër edhe të proceseve integruese të vendit në BE; Vëren me shqetësim se Bashkimi Europian është thellësisht të shqetësuar për “natyrën jashtëzakonisht të rrezikshme të propagandës ruse, e cila është burimi kryesor i dezinformimit në Evropë dhe që është dyfishuar që nga janari 2019 (me 998 raste) në krahasim me 2018 (me 434 raste)”, thuhet në rezolutë.

Rreziku në përbërjen e institucioneve

Në draftin e propozuar nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, theksohet po ashtu edhe rreziku që mund të ketë ndikimi i huaj tek institucionet. Mazhoranca konsideron se ndërhyrja elektorale synon të ketë ndikim në përbërjen e institucioneve të vendit. Sipas asaj që thuhet në rezolutë, mazhoranca beson se këto kërcënime nuk mund të adresohen vetëm nga autoritetet kombëtare, që punojnë në izolim dhe as nga vetë-rregullimi i sektorit privat, por kërkojnë një qasje të koordinuar në shumë-nivele, me shumë palë të interesuara. “Konsideron se një kornizë ligjore për trajtimin e kërcënimeve hibride, përfshirë sulmet në internet dhe dezinformimin, duhet të zhvillohet si në Shqipëri ashtu edhe në bashkëpunim me partnerët tanë strategjikë, në mënyrë që të mundësojë një reagim të efektshëm ndaj këtij fenomeni. U bën thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë që të vazhdojnë me përpjekjet e tyre për të siguruar që procesi demokratik, si dhe zgjedhjet, të mbrohen nga ndërhyrjet dhe manipulimet e aktorëve të huaj shtetërorë dhe jo-shtetërorë”, thuhet në dokument.

Arbjona ÇIBUKU

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here