“Tirana International Jazz Festival”, me artistë shqiptarë dhe të huaj në edicionin e tetë

    0
    309

    “Tirana International Jazz Festival” vjen në edicionin e tetë si një institucion i konsoliduar i promovimit dhe mbështetjes së muzikës xhaz, që ka sjellë në Shqipëri rreth 150 artistë, nga më të suksesshmit, nga Ballkani, Europa dhe më gjerë. Edhe këtë vit festivali vazhdon me artistë të huaj dhe shqiptarë, të cilët duke filluar nga mbrëmja e sotme dhe deri më datë 12 tetor do të jenë përpara publikut. Koncertet do të zhvillohen në sallën “Tonin Harapi” në Liceun Artistik “Jordan Misja”, si dhe në sallën “Black Box” në Universitetin e Arteve. Festivali me drejtor Besim Petrelën dhe drejtor artistik Gent Rushi sjell grupe me artistë nga Franca, Italia, Sllovakia, Izraeli, Turqia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, etj. Shoqata “Syri Blu” ka realizuar deri tani shtatë edicionet e “Jazzi in Albania”, festival i cili është zhvilluar në Tiranë dhe në rrethet Fier, Shkodër, Vlorë dhe Korçë. Por këtë vit ky festival do të zhvillohet vetëm në qytetin e Tiranës. Sipas organizatorëve, festivali u konsolidua ndër vite dhe ka një impakt të ndjeshëm në komunitetin artistik, publikun e gjerë, promovues për kryeqytetin si stacion i rëndësishëm i realizimit të eventeve, që kanë homologët e tyre anembanë botës, duke sjellë kështu një vlerë të shtuar në jetën artistike dhe kulturore të kryeqytetit dhe të vendit në përgjithësi. Ky edicion ka objektiva të mbështesë krijimtarinë muzikore xhaz, të realizojë shkëmbime të grupeve xhaz në rajon dhe Europë. Festivali, që këtë vit mbërrin në edicionin e tetë ka një hapësirë të gjerë gjeografike, në ditët e tij do të zhvillohen seminare, trajnime, do të ketë workshop për të rinjtë nga muzikantë të njohur të muzikës, etj.

    Artistët në festival

    Artistët e xhazit nga Franca dhe Hungaria janë ata, që do të hapin festivalin me koncertet, që do të zhvillohen në sallën “Tonin Harapi” në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Drejtori i festivalit Besim Petrela shprehet se festivali jo vetëm që synon gjallërimin e jetës artistike, por dhe edukimin e të rinjve me muzikën xhaz. “Janë disa grupe që marrin pjesë këtë vit dhe janë nga shtete të ndryshme, si Italia, Izraeli, Japonia, Hungaria, Turqia, Franca, SHBA, etj. Janë nëntë grupe, që marrin pjesë në këtë festival, që ka objektiva për të gjallëruar jetën kulturore në Tiranë, dhe e dyta xhazi edhe si një mjet për dialogun kulturor midis serbëve, shqiptarëve dhe italianëve. Pra ka aspektin e zhvillimit të jetë artistike dhe e dyta edukimin e të rinjve me muzikën xhaz”, pohon Petrela. Festivali këtë vit zhvillon edicionin e tetë dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës, ndihmuar dhe nga Liceu Artistik “Jordan Misja” si dhe donatorë të tjerë. Drejtori i festivalit Besim Petrela shprehet se këtë edicion festivali zhvillohet vetëm në Tiranë për shkak të buxheteve. “Në këtë edicion janë artistë të mrekullueshëm, që marrin pjesë. Janë artistë të njohur me aktivitetin e tyre muzikor. Por këtë vit artistët shqiptarë do të luajnë së bashku me artistët amerikanë, do jenë artistët shqiptarët me japonezë, pra do të ketë një bashkëpunim me muzikantët shqiptarë me artistët e huaj në festival. Këtë vit festivali vetëm në Tiranë, sepse janë buxhete të reduktuara. Por dhe bashki si e Korçës dhe Shkodrës, që kanë një traditë janë tërhequr”, pohon drejtori Besim Petrela. Festivali, që do të zhvillohet deri mbrëmjen e 12 tetorit sjell para publikut artistë si Enzo Fata, Risa Brunello, Mattan Klein, Gent Rushi, Senri Oe, Ermal Rodi, Mike del Ferro, Steven Altenberg, Roni Gjura, etj.

    Nga Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here