Policia vullnetare, ja kushtet që duhet të plotësoni për t’u bërë pjesë, për çdo shërbim pagesë me dieta

0
313

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e djeshme vendimin për organizimin, funksionimin dhe fushën e veprimit të policimit vullnetar. Kjo iniciativë ka nisur rreth tre vite më parë. Ndërkohë është zbardhur drafti i miratuar nga qeveria, ku shpjegohet edhe kuptimi i policit vullnetar, si edhe kushtet që duhen për tu bërë pjesë. Shërbimi i policimit vullnetar do të funksionojë në mbështetje të strukturave vendore të policisë së shtetit duke bashkëpunuar me qëllim sigurimin dhe garantimin e rendit publik. Sipas vendimit, pranohen të gjithë personat që kanë mbushur 18 vjeç e deri në 65 vjeç. Personat që duan të behën pjesë, duhet të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të aftë fizikisht për të kryer detyrën, të kenë arsimin e mesëm dhe të mos ketë qenë të dënuar. Po ashtu duhet të kenë përfunduar trajnimin e detyrueshëm me vlerësim pozitiv, si dhe të jenë certifikuar nga Akademia e Sigurisë. Në lidhje me emërtimin, policim vullnetar, pavarësisht se quhet vullnetar, personat që vendosin të bëhen pjesë e këtij policimit, kanë të drejtën që të rimbursohen për shpenzimet e kryera gjatë punës, sipas akteve nënligjore në fuqi, ashtu si punonjësit e policisë. Puna që do të kryejnë personat, jashtë profesionit, duke u bërë kështu pjesë e strukturës policore për disa orë, do të paguhen me dieta. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit është përgjegjëse për ruajtjen dhe sigurimin e konfidencialitetit të të dhënave dhe mbrojtjen e privatësisë së policit vullnetar. Ndërkohë përveç të drejtave dhe kushteve që i duhen personave që do shërbejnë si polic vullnetar, këta persona do të kenë edhe disa përgjegjësi. Policia i garanton persona përfitues të këtij pozicioni, që të trajnojë paraprakisht kandidatët, të sigurojë kushte normale pune për policin vullnetar, gjatë kryerjes së detyrave në bazë të kontratës së shërbimit vullnetar, të ruajë dhe të sigurojë konfidencialitetit e të dhënave dhe mbrojtjen e privatësisë së policit vullnetar, të rimbursojë shpenzimet e kryera nga polici vullnetar gjatë punës vullnetare, sipas akteve nënligjore në fuqi për trajtimin me dieta, njëlloj si punonjësit e policisë, të lëshojë vërtetim me shkrim për kohën e punës që ai ka shërbyer si polic vullnetar, të ofrojë bazën e nevojshme materiale për kryerjen e aktivitetit të vullnetarizmit, të sigurojë plotësimin e kushteve të nevojshme për respektimin e të drejtave të policit vullnetar, të pajisë policin vullnetar me dokument identifikimi. Ndërkohë kujtojmë se kjo ide është hedhur fillimisht nga ish ministri i brendshëm Saimir Tahiri, gjatë kohës që shërbente si ministër i brendshëm në vitin 2016.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here