Thellohen dyshimet mbi kompanitë e mikrokreditit në vendin tonë. Gazeta po tregon prej javësh mbi rreziqet që po vijnë qoftë nga sistemi bankar, qoftë dhe nga ai jobankar. Teksa bankat janë më të konsoliduara, janë shtuar ndjeshëm institucionet jo bankare që japin kredi me procedura shumë më të thjeshta, por me norma interesi më të larta. Ndër to është Fondi Besa, i cili u përfshi nga një skandal disa javë më parë. Përmes një skeme mashtrimi u vodhën 3.7 milionë euro dhe nga të gjithë punonjësit, kanë mbetur në burg më të parëndësishmit. Policia dhe prokuroria kur njoftuan mashtrimin u kujdesën që të deklaronin se nuk ishin të përfshirë drejtues. Por pyetja që shtrohet është: Si mund të ndodhin kaq shumë transaksione apo të firmosen me dhjetra kontrata pa dijeninë e drejtuesve? Çdo degë ka biletat e saj dhe raporton te dega qendrore për lëvizjet. Po ashtu drejtoresha e degës komunikon me eprorët e saj dhe kur kemi të bëjmë me shuma kaq të mëdha, sigurisht që nuk është çështje që mbetet vetëm te një grup individësh. Kompania justifikohet me faktin se ishin pikërisht drejtuesit që e pikasën dhe vunë në dijenia policinë e prokurorinë. Por pyetja tjetër që shtrohet është: Kush jep garanci që një skemë e tillë nuk është përdorur për muaj apo dhe më keq, vite me radhë? Kush jep garanci se qytetarët janë mashtruar për kohë më të gjata? Nga mënyra se si po zhvillohet gjyqi, tregohet qartë se po bëhen koka turku disa individë. Në burg është lënë sekseria, e cila i përket komuniteti rom dhe nuk ka asnjë mbrojtje. Ndërkohë zyrtarët realë të fondit ja hodhën paq. Pra duket qartë se ka qenë një skemë shumë e sofistikuar. Për më tepër prokuroria e fokusoi hetimin vetëm në këtë rast dhe nuk u shtri më tej.
Dyshimet e procesit gjyqësor
Fillimisht 7 punonjës të Besa përfunduan në pranga, pasi përmes një skeme mashtrimi përfituan 3.7 milionë euro. Disa u liruan nga Gjykata e Shkallës së Parë, ndërsa disa të tjerë janë liruar në Apel. Në seancën e fundit gjyqësore, Albana Imami, drejtoresha e filialit të fondit mbeti në burg. Gjykata e Apelit refuzoi kërkesën e Imamit për ta liruar, ndërsa nga arrest me burg masa u kthye në arrest shtëpie për dy vartëset e Imamit, Esmaraldo Vaso dhe Bertina Kananin. Ndërkohë, me kërkesën që ta lejonin të kthehej tek fëmijët njëra nga të dyshuarat për skemë mashtruese dhe piramidale hodhi akuza ndaj për çështjen e Fondit “Besa”. “Të gjithë ata që vodhën janë jashtë”, tha mes lotëve Orkida Driza, e cila edhe pse u tregua e gatshme të tregonte emrat e mashtruesve, ajo u la nën masën arrest me burg. Pas pikëpyetjeve që ngritën vetë të akuzuarit që këmbëngulin se janë mashtruar, ishte radha e familjarëve që shpërthyen në hyrje të gjykatës. Pra nga 7 të arrestuar, vetëm 3 janë në paraburgim. Por deklarata e Orkida Drizës ka ngjallur dyshime. Ajo ka deklaruar se ata që kanë qenë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi janë jashtë dhe ata që po hetohen dhe mbahen në qeli janë të fundit e zinxhirit. Pyetja që shtrohet është: A ka emra të rëndësishëm të përfshirë në këtë skemë? A ka zyrtarë të lartë të Fondit Besa dhe të afërm politikanësh që janë bërë pjesë e lojës? Mënyra se si u njoftua mashtrimi dhe si u zhvillua gjyqi bën që të ketë shumë dyshim. Nuk ka mundësi që të tilla transaksione të ndodhin pa dijeninë e eprorëve. Mbetet të shihet se çfarë do bëjë prokuroria.
Krijimi i Fondit Besa
Në fillim të vitit 1999 George Soros krijoi Fondacionin Besa, i cili do të operonte si një entitet juridik që vepron si organizatë joqeveritare, jo politike dhe jo fitimprurëse, në përputhje me legjislacionin shqiptar. Fondacioni “BESA” filloi aktivitetin e tij në Maj 1999 me V.K.M, Nr.207 datë 28.04.1999 kur projekti i Mikrokredisë Urbane (filluar që prej vitit 1994) u transferua tek Fondacioni “BESA” me themelues Fondacionin “SOROS”.
Kliti Topalli