Nisur nga finalizimi i operacionit të kokainës në Durrës, ka ardhur reagimi i menjëhershëm i gazetarit Artan Hoxha, i cili shprehet se Shqipëria është kthyer në një degëzim ndërkombëtar të drogës.
“Ky rast provon se përse në raportet ndërkombëtare thuhet që Shqipëria është një bazë operacionale e trafikut të drogës. Janë bërë disa raste ku janë kapur sasi të konsiderueshme të kokainës, që dëshmon se nuk është sasi kokaine për tregun shqiptar. Kjo është kokainë e destinuar për tregun e Bashkimit Evropian. Shqipëria është një nga degëzimet e rrugëve ndërkombëtare që çojnë kokainë në vendet e BE. Nëse dinim Roterdanim në Holandë dhe Anvers në Belgjikë, apo rruga e Spanjës, Shqipëria është bërë një aktor global. Trafik që ka fitim marramendës”, tha Hoxha.
Sipas gazetarit personat e përfshirë në këtë trafik janë shumë të rëndësishëm që nuk kapen kollaj.
“Personat e përfshirë në këtë trafik ndërkombëtar janë persona shumë të rëndësishëm, që nuk kapen kollaj. Bëhet fjalë për një grup me lidhje të forta dhe që ka pasur akses në Portin e Durrësit. Edhe në Amerikë, në një nëndetëse u kapën 5 ton kokainë po nuk u kapën bosët, ata nuk merren vetë me të, bosi merr vetëm fitimet.”-tha gazetari Artan Hoxha.