Ligji i miratuar më parë për dhënien e pensioneve suplementare për naftëtarët, minatorët dhe metalurgët nuk po gjen ende zbatim. Albpetrol është i vetmi institucion që ka nisur shpërndarjen e formularëve, por për kategoritë e tjera gjithçka është shumë mbrapa. Rreth kësaj çështje foli dje për gazetën “Sot”, Presidenti i Federatës së Sindikatave të Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë, Taf Koleci. Ai sqaroi se drafti nuk është vënë ende në zbatim pasi përgatitja e dokumenteve përkatëse nuk ka përfunduar ende. “Edhe pse drafti u miratua ne Kuvend, asnjë gjë nuk është bërë deri më tani. Kështu që, di të them se momentalisht janë duke u përgatitur dokumentet në ministri dhe kanë kaluar me sa di unë edhe tek Inspektorati Shtetëror i Punës. Por akoma nuk është vënë në lëvizje, pasi di që kanë përplasje në ministri, ndoshta ngaqë nuk kanë lekë. Ndërkohë që, janë duke u marrë edhe për ligjin për naftëtarët, metalurgët dhe minatorët”, tha Koleci. Në përgjigje të këtij shqetësimi ka reaguar dhe vetë Albpetrol. Teksa u shpreh se është në pritje të përgatitjeve të formularëve nga ministria, Koleci sqaroi se për kategorinë e lartpërmendur kriteret janë vendosur që në kohën kur u formulua ligji. “Më lejoni t’ju bëj me dije se u bënë 2 vjet e ca që Albpetroli po merret, ose më saktë është një zyrë në ministri që po merret me përgatitjen dhe shpërndarjen e formularëve. Ndërsa për minatorët dhe metalurgët, di të them që kriteret janë vënë që kur është bërë ligji, por duhen edhe disa dokumente shtesë, në mënyrë që të mbyllet dhe të nisëshpërndarja e formularëve”, u shpreh Koleci.
Dokumentet e naftëtarëve
Pak ditë më parë shoqëria Albpetrol njoftoi se ka filluar lëshimin e vërtetimeve të posaçme, ku do të bëhet konfirmimi i llojit të punës për naftëtarët. Por vetëm kaq, pasi për minatorët e metalurgët nuk ka asnjë zhvillim. “Shoqëria Albpetrol sh.a njofton të gjithë personat e interesuar se ka nisur lëshimi i vërtetimeve të posaçme të konfirmimit të llojit të punës, në zbatim të Ligjit Nr.29/2019 datë 23.05.2019 “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji””, u shpreh Albpetrol. Më tej në njoftim sqaroi se cilat kategori do përfitonin dhe theksi është vënëtek metalurgët, naftëtarët dhe minatorët, për të cilët sipas Albpetrol ka nisur shpërndarja e formularëve. Përfitues, sipas këtij ligji, janë pensionistët që kanë përfituar pension sipas ligjit nr. 4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë” dhe në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, pensionistët që kanë përfituar pension sipas ligjit nr. 150/2014 “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë” punonjësit që në industrinë e naftës e të gazit dhe personeli inxhiniero-teknik, në ndërmarrjet e sistemit të naftës, si shpim-kërkim, shpim-shfrytëzim, prodhimit, sizmikës, gjeofizikës kantieriale, përpunimit dhe transport me naftësjellës dhe gazsjellës. Përderisa ligji është miratuar dhe Albpetrol po merret me shpërndarjen e formularëve për atë kategori, na lë të kuptojmë që pengesa vjen nga ministria në kompetenca. Pasi ajo që përgatit formularët dhe vendos se kush përfiton pension dhe kush jo.
Esmeralda Hida