Bibliotekat e ndryshme në vendin tonë janë të varfra me librat, por nuk kanë dhe kushtet e duhura. Sipas shkrimtarëve, institucionet nuk kanë pasur kujdes dhe vëmendje. Ata shprehen se atmosfera e krijuar për librin në vend është mbytëse, me shumë probleme që vazhdojnë prej vitesh edhe gjendja e bibliotekave lë për të dëshiruar. Janë shumë pak ato raste kur është bërë diçka për bibliotekat, por deri tani sipas shkrimtarëve janë parë vetëm dhurime librash, që ata e shohin si një lëmoshë. Për të dalë nga kjo gjendje, sipas tyre ku duhet një bashkëpunim mes Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Kulturës dhe bashkive të ndryshme. Shkrimtari Xhahid Bushati shprehet se shumë flitet, por pak bëhet për bibliotekat në vend. “Shumë flitet dhe abuzohet me nocionin bibliotekë. Ministria e Arsimit dhe ajo e Kulturës akoma nuk e kanë të qartë, që duhet futur në strukturat e shkollave një punonjës, që të jetë apostafat i bibliotekës, që të merret me këtë punë dhe të mos jetë angari si nocion. Dhe jo që dikush ka mbetur pa orë, ec ti japim dhe ja dy orë punë në bibliotekë. Ana tjetër, shtëpitë botuese duhet ti kthejnë sytë nga bibliotekat në vendin tonë. Dorëzojnë nga 5 copë kopje librash për çdo botim të ri në Bibliotekën Kombëtare, por të japin më pak aty dhe ti çojnë në bibliotekat e qyteteve, ti shpërndajnë”, pohon shkrimtari Bushati. Sipas tij, me gjendjen që është sot në bibliotekat e vendit tonë, është e vështirë të gjesh veprat që duhen. “Bibliotekat e shkollave janë të varfra, ashtu si janë të varfra dhe ato në qytete. Është e vështirë të gjesh të plotë krijimtarinë e një autori, nëse do të kërkosh librat e tij në bibliotekë është e pamundur. Institucionet fjalë shumë e punë pak për këto probleme”, pohon shkrimtari Xhahid Bushati. Dhurime librash në biblioteka janë parë herë pas here, por sipas tij duhet në vijimësi pasurimi me libra. “Dhurimet kanë një vlerë, por ama duhet të ketë vijimësi pasurimi i bibliotekave me libra. Më bën përshtypje dhe fakti që librat shiten edhe në rrugë dhe askush nuk shqetësohet, që ato janë pjesë e bibliotekave të vjedhura. Pra jemi po ne vetë që i shesim, i kemi vjedhur bibliotekat dhe i nxjerrim librat në rrugë për t’u shitur. Ata libra të gjithë kanë pulla të bibliotekave, sepse dikur kanë qenë të pasura”, pohon shkrimtari.
Jo lëmoshë për bibliotekat
Duke folur për këto probleme, shkrimtari Xhahid Bushati sjell në vëmendje se librat duhen blerë çdo tre muaj dhe jo kur kujtohen institucionet në fund të vitit. “Bibliotekat me kushtet nuk janë të duhurat. Në Shkodër është e vobektë biblioteka. Investimet janë të pakta. Prokurimet me sa kam marrë vesh i bëjnë në fund të vitit, por për librat duhen bërë çdo tre muaj. Duke qenë se janë në varësi të bashkive kanë problem, pak buxhete kanë, pak interesohen institucionet tona. Duhen dy ministritë, që të bëhen bashkë dhe të kenë një program të veçantë me buxhet për bibliotekat e qyteteve dhe të shkollave, por harrojmë në fshatra gjendja është më e mjeruar”, shton më tej shkrimtari Xhahid Bushati. Përballë këtyre probleme edhe shkrimtari Vasil Premçi shprehet se për gati tre dekada bibliotekat u lanë jashtë vëmendjes. “Atmosfera për librin është mbytëse. Bibliotekat në një periudhë gati 30 vjeçare u luftuan, u nxorën jashtë ligjit. Tani rikthimi atje është shumë i lodhshëm, kushtet mungojnë dhe u grabitën ndër vite”, pohon shkrimtari. Kritik për gjendjen që kanë sot bibliotekat në vendin tonë, shkrimtari Vasil Premçi pohon se nuk mund të mbahen bibliotekat me lëmoshë, por të ketë politika për pasurimin e tyre. “Bibliotekat në shkolla dhe në qendrat e banimit janë të rralla, ka qenë një politikë ndër vite për ti rrudhur, zhdukur, shuar gjatë këtyre 30 viteve. Nuk ka fonde, nuk ka interes, nuk ka diçka ligjore. Dhurimi i librave, që bëhet për bibliotekat nga shkrimtarët është njëlloj siç i jepet një lypsari një copë bukë. Dhurimi është “lëmosha”, pra nëse nuk planifikohet nga shteti nuk mbahet me lëmoshë. Dhurimi është fyes për bibliotekat. Në vendin tonë për bibliotekat duhet një përgjegjësi qeveritare”, pohon shkrimtari Vasil Premçi. Nuk është hera e parë, që autorë të ndryshëm flasin për probleme, por ndërsa apeli i tyre në drejtim të institucioneve nuk mungon, pak është bërë në këtë drejtim.
Nga Julia Vrapi