Një debat i pazakontë ka ndodhur mes deputetes Rudina Hajdari dhe një djali të ri, teksa kryetarja e grupit parlamentar demokrat po mbante fjalë në shkollës “Shejnaze Juka’ në qytetin e Shkodrës në kuadër të ditës të gjuhëve të huaja.
Teksa deputetja fliste në sallën e mbushur me nxënës, një djalë i ri është ngritur në këmbë duke ju drejtuar: “A e njeh Azem Hajdarin? Ai ka luftuar për demokracinë, ti je duke kthyer komunizmin. Ti je shtojcë e Edi Ramës, je një turp”.
Mënyra e reagimit të deputetes Rudina Hajdari, vajza e ish-deputetit demokrat Azem Hajdari, ishte gjithashtu i pazakontë. Nuk ka zgjedhur t’i heqë të drejtën e fjalës të riut, por ka debatuar me të, madje i ka afruar edhe mikrofonin me dorën e saj, që fjalët e tij të dëgjoheshin tek gjithë të pranishmit.
Rudina Hajdari e ftoi vetë të riun t’ia thotë mendimin e lirë përballë dhe pasi e dëgjoi acarimin e tij tha që është kjo pikërisht ajo çka po bën politika, po ndanë njerëzit në të djathtë dhe në të majtë.
Debati i plotë
Rudina Hajdari: Të dashur nxënës, të dashur mësues, me qetësi…
(I riu ndërhyn duke folur)
Rudina Hajdari: Hajde, hajde, hajde këtu, hajde ma thuaj këtu
I riu: Shko pas Edi Ramës, Shkodra është e PD-së
Rudina Hajdari: Ti je djalë i ri dhe nuk duhet të merresh me politikë
I riu: E njeh ti Azem Hajdarin?
Rudina Hajdari: Më vjen mirë që e njeh Azem Hajdarin
I riu: Unë e njoh por nuk e njeh ti.
Rudina Hajdari: Tani besoj se …
I riu: Ai ka luftuar për të sjellë demokracinë, ti je duke kthyer komunizmin, shtojcë e Edi Ramës, je turpi i shqiptarëve…
(Ndërhyn Halit Valteri për ta larguar)
Rudina Hajdari: Të dashur nxënës
(Ovacione në sallë për Rudina Hajdarin)