Autoriteti i Konkurrencës i është drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për të kërkuar liberalizimin e shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve. 3 shtatori i këtij viti ka qenë afati i përfundimit të kontratës 10-vjeçare mes kompaninë SGS Albania dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Qeveria aktuale, asaj kohe në opozitë, ka qenë kundër kësaj kontrate duke thënë që sapo të vinte në pushtet do ta largonte menjëherë SGS dhe do të shpallte liberalizimin e tregut. Në fakt ka ndodhur krejt e kundërta. Pikërisht në ditën që kontrata përfundoi, ministria në kompetenca ka vendosur ta rinovojë atë edhe për 16 muajt e ardhshëm. Por duke analizuar gjendjen dhe premtimin e pambajtur nga qeveria aktuale, Autoriteti i Konkurrencës u shpreh ditën e djeshme se ky është një paradoks i premtimeve të bëra nga qeveria. Duke u bazuar tek një paketë rekomandimesh të tetorit 2018, ky institucion i ka kërkuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që, me përfundimin e kontratës koncesionare me SGS Albania, të liberalizojë tregun, duke krijuar hapësira për ofrues të tjerë shërbimesh. Sipas Autoritetit të Konkurrencës, ministria përgjegjëse nuk e ka respektuar aspak këtë rekomandim që kishte për bazë mbikëqyrjen e veprimit të SGS Albania në Shqipëri, por e ka ndihmuar atë në shkeljet e saj duke i shtyrë kontratën pa dhënë zyrtarisht ndonjë argument për arsyen e këtij vendimi. Në këtë mënyrë Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të Kuvendit të Shqipërisë. Ky është vetëm një nga rastet e shumta kur qeveria dhe institucionet e pavarura nuk i marrin parasysh rekomandimet që lidhen me kufizimin e monopoleve dhe përmirësimin e konkurrencës në tregje. Kështu që Autoriteti i Konkurrencës ka marrë vetë përgjegjësinë për hetimin e mënyrës sesi SGS procedon në vend, duke u bazuar në praktika që ndiqen në shumicën e vendeve evropiane.
E vërteta e kontratës koncesionare
Në shkurt të vitit 2008, Ministrisë së Infrastrukturës ju caktua detyra për procedurën e dhënies me koncesion të Shërbimit të Kontrollit të Detyrueshëm Teknik të Mjeteve me Motor dhe Rimorkiove të tyre në Republikën e Shqipërisë. Me 18 dhjetor 2008 SGS paraqiti ofertën e saj pranë Komisionit të Procedurës Konkurruese në Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit. Me datën 23 janar 2009, SGS u shpall fitues. Me datë 03 shtator të vitit 2009, ish-ministri Sokol Olldashi dhe Jacques Vollenweider nga SGS, nënshkruan Kontratën për “Dhënien me Koncesion të Shërbimit të Kontrollit të Detyrueshëm Teknik të Mjeteve me Motor dhe Rimorkiove të tyre në Republikën e Shqipërisë”. Por, më e rëndësishmja, sipas Autoritetit të Konkurrencës, kontrata parashikonte në një pikë të saj të veçantë dorëzimin e koncesionit me disa nënçështje të rëndësishme si: në fund të periudhës së marrëveshjes operatori duhet t’i kthejë QKT ekzistuese dhuratëdhënësit, makineritë dhe pajisjet e saj, operatori duhet t’i transferojë gjithashtu pajisjet elektronike dhe kompjuterike, ndërtimin në progres, marrëveshje licencimi mbi programe kompjuterike, regjistrimet në llogari. Pra, dukshëm marrëveshja ishte shumë e qartë, por bazuar në mosmbajtjen e premtimit të PS-së, që asaj kohe ishte në opozitë, për largimin e SGS dhe duke vërejtur disa shkelje, Autoriteti i Konkurrencës pasi ka përfunduar hetimet ka dalë në rezultatin se SGS kishte abuzuar. Ky institucion i vendosi një gjobë prej 51 milionë lekësh dhe gjithashtu disa masa korrektuese. Por, që nuk u përfillën nga Ministria e Infrastrukturës. Duke u bazuar në vendimin e fundit të ministrisë kërkesa ultimatume e Autoritetit të Konkurrencës është, që të rrëzohet vendimi për shtyrjen e kontratës me SGS dhe menjëherë të liberalizohet tregu.